Mes regëtimave të “Shqipërisë 1 euro” që në 10 vitet e fundit katandisi në dhënie trojesh e magazinash të braktisura sipërmarrësve vendës që e lyenin rrotën e qerres mirë, nisma e re e qeverisë për Korporatën e Investimeve Shqiptare ngjall një shpresë të dobët. Shpresën se mos me ndihmën e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (krahu pothuajse bankë i Fondit Monetar Ndërkombëtar) dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), tokat truall-shtet në bregdet më në fund bëhen pjesë e një investimi strategjik, të mirëmenduar dhe nuk ngelen peng e sekserit apo sekserëve të radhës, të maskuar si investues të huaj.

Planet dhe projektet për marinat (portet e vogla turistike, për barkat dhe jahtet e atyre të huajve që kanë para dhe nuk shpenzojnë vetëm 50 euro ditë-nata në Shqipëri) mund t’i japin jetë një banke investimi. Një strukture që i ka munguar gjatë gjithë periudhës 29-vjeçare të tranzicionit ekonomisë sonë. Vetëm nëse një fond i tillë investimesh reale (e jo thjesht blerje bonosh e obligacionesh qeveritare) nis aktivitet real dhe jo virtual te ne, mund të thuhet se do të agojë edhe bursa e mirëfilltë shqiptare. Ndryshe do të katandiset shumë shpejt, edhe me ndihmën e 3 milionë eurove që Buxheti i Shtetit parashikohet të japë për mbajtjen e strukturës së re, në një OJF.

Një institut porosish për projekte, por jo mbledhës efektiv të parave të shqiptarëve këtu tek ne, apo të të huajve që mund të duan të investojnë për fitim korporate në Shqipëri. Edhe pse qëllimi në parim është i mirë, të zhbëjë projektin e dështuar kryekëput “Shqipëria një euro” dhe të provojë të rikthejë në jetë shumë prona shtetërore sot, të papërdorura dhe që po humbasin vlerë e amortizohen me shpejtësi të madhe. Kjo korporatë, që në ditët e para të krijimit të saj synon të bëjë publike listën e pronave të para shtet që do të provojë të nxjerrë në tregjet e kapitalit, me qëllim afrimin dhe kapjen e ortakëve investues. Ndoshta do të duhet të bëjë më shumë se kaq që të jetë e besueshme.

Krahas aktivitetit të marketingut për pronat shtetërore me potencial investues, ata që në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë e kanë mbrujtur si projekt, duhet të kërkojnë fort një “marrëveshje për themelimin (në anglisht ‘foundation deal’)”. Ky “deal” qëndron zakonisht në qendër të formimit të cilësdo strukture biznesi të formës korporatë (bashkim kapitalesh). Janë themeluesit e saj, pronarët dhe ortakët fillestarë, që përpara se sa ta krijojnë, kanë rënë dakord për një investim madhor të korporatës. Po kështu, Korporata Shqiptare e Investimeve nuk duhet të bëjë gabimin fatal që me krijimin e saj. Që, që në ditët e para të nanuriset në komoditetin dhe rehatinë e 360 milionë lekëve të reja (gati tre milionë euro) që i ka vënë në dispozicion Buxheti i Shtetit. Duke porositur lart e poshtë projekte pas projektesh investimi. Gjoja se kjo është puna e saj. Jo! Në të kundërt, puna e saj është të marrë investues të huaj me kapitale “në anije”. Dikush mund të thotë frazën “cila ishte e para, veza apo pula?”. Pra, a duhet të kemi gati disa projekte tërheqëse për të afruar banka investimi të huaja e investues të tjerë seriozë? Gjykoj se nuk mund të humbasim kohë.

Nuk ka asgjë më bindëse për investuesit, e mëdhenj apo të vegjël qofshin, nga një histori suksesi. Korporata që në ngjizje të vet duhet të ketë gati një “deal” (në shqip, marrëveshje). Një projekt të parë, me të cilin të bëjë “provën e zjarrit”, të pagëzohet në treg. Vetëm kështu fiton autoritet e besim. Mundësisht me dy strukturat investuese ndërkombëtare, nga të cilat duket se hartuesit e projektligjit mund të kenë marrë ekspertizë për projektligjin, Korporatën Financiare Ndërkombëtare (International Financial Corporation-IFC) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Të paktën me këto dy investuese potenciale në Korporatë, të ndërtojë marinën (portin e vogël detar) të parë. Mos po kërkojmë (ëndërrojmë) shumë? Nëse nuk e nis aktivitetin me një projekt konkret për të zbatuar, Korporata Shqiptare e Investimeve, edhe pse një ide e gjetur dhe në kohën e duhur, pas rrëmetit të PPP-ve, do të katandiset “u gjet Kola në punë”. Do t’i ngjajë sa shumë një strukture OJF-je, nëse i harxhon gjashtë muajt e parë me porosi projektesh pa financues të gjetur dhe me prezantime-shou të aseteve shtetërore që do të hedhë në tregjet e kapitalit, ku askush nuk e njeh dhe nuk beson se do të arrijë ato që thotë. Dhe brenda vitit, me fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, të cilat i ka harxhuar dhe pa asnjë investim konkret të përbashkët, do t’i ngjajë më shumë një lojë bixhozi me paratë e taksapaguesve shqiptare./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: