Bashkia e Korçës u rendit e para ndër të 61 bashkitë në të gjithë vendin për korrektësinë e veprimeve me thesarin për vitin 2017. Ministria e Financës ka sqaruar se në bazë të analizës së indikatorëve, Bashkia Korçë është vlerësuar me 430 pikë nga 450 pikë maksimale të mundshme, e cila është e renditur në vendin e parë kundrejt vendit të dytë në vitin 2016 me rritje në performancë 25 pikë. Ministria e Financave vlerëson se Bashkia Korçë paraqitet me një performancë shumë të mirë pothuajse në të gjithë indikatorët për vlerësimin e performancës sipas metodologjisë së miratuar.
Në vend të dytë u rendit Bashkia e Shkodrës dhe në tretin ajo e Durrësit përkatësisht me nga 415 dhe 405 pikë, shkruan “minitor”.
Nga bashkitë në qendër të qarku me përformacën më të dobët për 2017 rezultuan ajo e Lezhës, Vlorës, Fierit dhe ajo e Tiranës. Ndërsa në grupin e bashkive të tjera që nuk janë qendra e qarkut, përformacën më të mirë të veprimeve me thesarin e patën bashkia e Maliqit, Dropullit dhe Kamzës përkatësisht me 400 dhe 395 pikë secila.
Treguesi “Dërgimi i faturave për pagesë në Thesar” nga njësitë e pushtetit vendor me 2017 mesatarisht është vlerësuar me 15.1 pikë nga 30 pikë të mundshme ose ka një realizim prej 50.3%. Këto vlerësime tregojnë për një performancë mesatare të këtij treguesi, ku pjesa më e madhe e bashkive janë vlerësuar në intervalin 10-20 pikë krahasuar me një vit më parë ku ky indikator vlerësohej mesatarisht me 21.1 pikë. Pra, bashkitë kanë ende problematika në zbatimin e afatave kohore për dërgimin e faturave në thesar.
Edhe për këtë vit, vlerësimet më të mira, Bashkitë i kanë arritur në treguesin “Anulimi i kontratave gjatë një viti”, i cili ka një shkallë të lartë realizimi prej 95.6%, ku pikët mesatare të vlerësuara të këtij treguesi janë 28.7 pikë. Shumica e bashkive (52 prej tyre) kanë vlerësim maksimal të këtij indikatori dhe asnjë bashki nuk është vlerësuar me 0 apo 5 pikë.
Indikatori tjetër i analizuar është “Urdhër shpenzimet e refuzuara nga ana e Thesarit”. Pikët mesatare të marra nga bashkitë për këtë indikator janë 27.8 pikë, duke evidentuar një realizim prej 92.6%, më të lartë se vitin e kaluar. Nga të gjitha institucionet vendore, shumica prej tyre (47) është vlerësuar maksimalisht me 30 pikë dhe asnjë bashki nuk është vlerësuar me 0, 5 ose 10 pikë. Pra, situata e këtij indikatori paraqitet në nivele shumë të kënaqshme.
“Dorëzimi në kohë i kontratave në Thesar” është një tjetër indikator i rëndësishëm i gjeneruar nga Drejtoria e Thesarit. Bashkitë, mesatarisht, janë vlerësuar me 10.7 pikë, ku kemi 29 bashki të cilat janë vlerësuar me 0 dhe 5 pikë. Realizimi i këtij treguesi është 35.5%, mjaft i ulët krahasuar me vitin me vitin e kaluar (64%), duke evidentuar faktin që institucionet vendore, në shumicën e rasteve, nuk arrijnë të dorëzojnë kontratat në thesar brenda afatit 3-ditor të caktuar.
“Urdhër prokurimet e paautorizuara” është indikatori i fundit i gjeneruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, i cili është marrë në analizë, duke qënë se njësitë publike kanë detyrimin për të paraqitur urdhër-prokurimet në Agjencinë e Prokurimit 18 Publik (APP), me autorizimin e Thesarit. Për vitin 2017, për njësitë vendore, ky indikator është vlerësuar mesatarisht me 28.3 pikë dhe ka një realizim prej 94.2%. Krahasimisht me vitin 2016, ky indikator ka një përmirësim të lehtë duke konkluduar në një performancë shumë të kënaqshme nga ana e institucioneve. Pjesa më e madhe e bashkive (55 prej tyre) janë vlerësuar maksimalisht me 30 pikë dhe vetëm 2 bashki janë vlerësuar me 0 dhe 5 pikë.
(BalkanWeb)