Korridori i Transportit Pan-Europian Nr.8 është një nga dhjetë korridoret evropiane dhe lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Kjo arterie e qarkullimit ne trupin e Europes është një mundësi e artë për ekonominë ë Shqiperisë. Vec vendit tonë dhe Maqedonisë, Italia dhe Bullgaria janë drejperdrejt të interesuara për ta ndërtuar këtë vepër.

Korridori është intermodal, do te thotë që përfshin porte, rrugë, rrjet hekurudhor, aeroporte, infrastrukturë të kombinuar të transportit dhe objektet e tjera ndihmëse për të menaxhuar trafikun përgjatë rrugës. Është e paimagjinueshme masa e njerëzve, mallrave (dhe eurove) që do të kalonin në këtë koridor i cili kryqëzohet me koridore të tjera në Bullgari, Maqedoni dhe në Shqipëri siç është Autostrada Adriatiko-Joniane që do të vij nga Mali i Zi e do të shkojë drejt Greqisë.

Gjendja e infrastrukturës rrugore përgjatë Korridorit Nr.8 është relativisht e mirë dhe vazhdimisht modernizohet në Bullgari, por edhe Shqipëria po bën përpjekjet e veta në ndërtimin e tij. Këto përpjekje duken në dyfishimin e aksit rrugor Elbasan – Qafë Thanë, i cili është në ndërtim e pritet të përfundojë në fundin e viti 2027. Gjithashtu pritet që gjate vitit 2025 të fillojë ndërtimi i autostradës që lidh Elbasanin me Rrogozhinën e me Autostradën Adriatiko Joniane. Vecse lidhjet hekurudhore midis tre vendeve nuk janë ndërtuar ende, si midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, dhe midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Projekti ka mbështetjen politike dhe ekonomike të Këshillit të Evropës (KE), por nuk ka asnjë rezultat në praktikë. Ku qëndron problemi?
Me sa duket Maqedonia e Veriut nuk dëshiron zhvillimin e projekteve të transportit me Shqipërinë fqinje dhe Bullgarinë. Sjellja e sllavëve Maqedonas në vitin e fundit, pavarësisht anëtarësimit në NATO, mund të përcaktohet si një “Jugonostalgji e yshtur”.

Sot në Maqedoni po kryhen investime në infrastrukture rrugore dhe hekurrudhore por asnjë nga këto nuk lidhet me Koridorin 8. Për këtë arsye trafiku i mallrave midis Maqedonisë dhe Serbisë është dy herë më e madh se ai më Shqipërinë dhe Bullgarinë të marra së bashku.

Takimi i fundit i nivelit të lartë, i cili synonte të përmirësonte koordinimin midis vendeve të Koridorit 8, u mbajt në fund të Korrikut 2023 në Brindisi, Itali. Vendet u përfaqësuan nga Ministrat e Jashtëm Antonio Tajani për Italinë, Olta Xhacka për Shqipërinë, Bujar Osmani për Maqedoninë dhe Maria Gabriel për Bullgarinë. Asnjë angazhim i qartë nuk u ndërmor për ndërtimin e shpejtë dhe më të plotë të korridorit
e nuk u vendos asnjë datë apo skadencë. Maqedonia ka marrë fonde për projektimin e hekurudhave të Koridorit 8 dhe kredia për ndërtim ka qenë e garantuar nga bankat nderkombëtare BEI dhe BERZH.

Qeveria e re VMRO-DMPNE, e Kryeministrit Hristo Mickoski ka bllokuar gjithcka e për të zgjatur zullumin, ka kërkuar të përgatisë një projekt hekurrudhor plotësisht të ri dhe madje kërcënon të ri-drejtojë fondet e synuara për korridorin 10 që lidh Maqedoninë me Serbinë dhe Greqinë.

Kjo është e rëndë sepse vetë mendimi i BE-së dhe i Bankes Europiane per Investime (BEI) është se “nuk ka asnjë kuptim për të bërë një projekt të ri, pasi që ai aktual është me zgjidhjen teknike më fitimprurëse dhe plotëson plotësisht kërkesat e BE-së për pajtueshmërinë operacionale. BE beson se propozimi i Shkupit do të çojë vetëm në një shtyrje të re afatgjatë për realizimin e koridorit”.

Veprimet e qeverisë Maqedonase janë kundër interesave të BE-së, NATO-s, Italisë, Bullgarisë, dhe mbi te gjitha të vendit tonë. Kjo jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por edhe nga ajo e sigurisë së Europës Jug-Lindore. Orientimi drejt Serbisë e Hristo Mickoskit tregon se influcenca Serbe dhe Ruse, antieuropiane dhe anti-NATO po zenë vend në Maqedoni e ky bllokim i koridorit të 8 ne favor të lidhjeve me vendet antiperëndimorë nuk është rastësore.

Në teori investimet që Maqedonia po bën për tu lidhur me mirë jo vetëm me Serbinë por edhe me Greqinë nuk do të ishin negative pasi Greqia është vend perëndimor por portet kryesore të saj sot zotërohen nga kompani të ndryshme Kineze!

Kontrolli politik serioz i Moskës ndaj Beogradit vazhdon të jetë një burim kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale, dhe në këtë drejtim presioni ndaj Maqedonisë për   refuzimin e projektit të Korridorit 8 është një rezultat i drejtpërdrejtë i dëshirës së Rusisë për te ndaluar lidhjen midis 4 shteteve anëtare të NATO-s dhe interesi për ngritjen e Koridorit 10, Serbi-Greqi ka edhe Kinën si promotore e cila ka të paktën për momentin arsye ekonomike.

Thënë ndryshe koridoret e transportit sot nuk përcaktojnë thjesht penetrimin ekonomik dhe kapjen e tregjeve por edhe influencat politike e nesër ushtarake mbi Europen Jug-Lindore. Korridori 8 është leva që lejon zhvillimin ekonomik të Ballkanit pavarësisht nga Beogradi!

Për këtë arsye qeveria Shqiptare duhet të përpiqet në forma të ndryshme bashkë me Italinë dhe Bullgarinë që Koridori 8 të ketë data dhe afate, duke lejuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut e të Shqipërisë ti bashkohen familjes Europiane dhe Perëndimore, se paku nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: