Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur komentuesve në “Sy m’sy” me një video të shpërndarë në rrjetet sociale.
Rama shprehet se pavarësisht pretendimit nga komentuesi, zbatimi i projektit nuk ka të bëjë me garën zgjedhore të 11 majit, ndërsa ka shtuar se projekti është prezantuar në çdo fazë duke bërë kështu edhe transparencë.
“Hekurudhë që s’do mbarojë kurrë e që nuk do të bëhet kurrë. Interesante pikërisht në kohë zgjedhore kryeministri zgjedh të publikojë këtë Projekt që s’do të realizohet kurrë, miliarda do t’i kushtojë popullit”, shkruante komentuesi.
Kryeministri Edi Rama: E para Adhurim, ky projekt është prezantuar në çdo fazë të tijën, madje edhe në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive kur ishte në nivelin e projekt idesë. Pra nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me fazën e re kur konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin e kalimit nga Shkodra përmes Gjakovës në Prishtinë si më të mirin. Prandaj dhe ekipi ynë i përbashkët ka parë të udhës ta bëjë me dije edhe mbylljen e kësaj faze, sepse jeta vazhdon.
E dyta, Adhurim se sa do të kushtojë këtë do ta nxjerrë projekti i detajuar, i cili përsëri do të bëhet nga një ekspertizë ndërkombëtare e nivelit të lartë do të aprovohet nga Fondi Europian i Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Por një gjë është e sigurtë, që pa lekë, hekurudha nuk bëhet dot dhe a do mbarojnë, a s’do mbarojnë këto projekte, këtë fatmirësisht nuk e kanë në dorë ata që vetëm shajnë dhe tallen nga kafenetë e Tiranës apo të Prishtinës, po e kanë në dorë ata që projektojnë dhe punojnë në llogoren e të ardhmes.