Nga Kreshnik Zeqaj*
Për t’u pajisur me lejen e drejtimit të automjetit, duhen disa dokumente që kërkohen nga autoshkolla, si 8 fotografi, vërtetim banimi, kartë identiteti, kryqi kuq, analiza e grupit të gjakut dhe në fund më e rëndësishmja certifikata mjekësore që jepet rekomandim nga mjeku i familjes, për të dal para komisionit nëse je apo jo i aftë për ti dhënë makinës. Por kur nuk e ke mjekun e familjes si i bëhet?
Kaktus ka shkuar në Poliklinikën Qendrore të Vlorës për të marrë certifikatë mjekësore, pasi ngjisim disa shkallë takojmë në korridor kryeinfermierin, i cili na thotë të mbarojë me disa klientë që ka dhe më pas eja. Hyjmë në dhomën e kryeinfermierit dhe pasi i parashtrojmë problemin se na duhet një certifikatë mjekësore për t’u regjistruar në patentë ai na thotë se duhet të shkojmë tek mjeku i familjes dhe pasi të marrim rekomandimin, na i bën ai të gjitha “se kështu na zotohet ky mjeku”.
Ngjitemi një kat më lart tek Qendra Shëndetësore nr. 4 dhe të shohim nëse do na e japin këtë rekomandim. Dikur i bënim por tani nuk na lejojnë thotë Drejtoresha, por a thua të jetë e vërtetë që nuk merret ky rekomandim nga mjeku, eh kot nuk ka dale ajo shprehja e urtë, leku e hedh ujin përpjetë.
Pas disa tentativave Drejtoresha dhe sekretaria na bënë pazare lekësh, 10 paguaj këtu, 45 poshtë. U munduam të bënim ndonjë ulje në pazar por aha nuk na e ulnin sepse faturat ishin fikse. Kjo është Shëndetësia jonë, blihet e shitet me lekë. Mandati i pagesës që premë tek sekretaria e Drejtoreshës shkruan 1 mijë lekë të reja, pra me këtë pagesë ne nuk duhet të paguanim më lekë tek kryeinfermieri. Pasi morëm këtë rekomandim nga mjeku familjes, zbresim edhe një herë në katin e dytë tek Poliklinika Qendrore Vlorë dhe në zyrën e kryeinfermierit, i cili deklaron se duhet të paguajmë 45 mijë lekë të vjetra, se tek kjo shifër do u lëri dhe ndonjë kafe këtyre ustallarëve të tjerë, se edhe këta kanë punuar për këtë ditë.
Pas gjithë atyre pazareve dhe lekëve që dhamë në Vlorë, vjen momenti për të marrë certifikatën mjekësore. Kjo është certifikata mjekësore, e cila kushton 45 mijë lekë të vjetra, e firmosur dhe e vulosur nga mjekët e kockave, shikimit dhe dëgjimit, janë firmosur apo vjedhur firmat këtë nuk e dimë se këtu është i njëjti stilolaps dhe në disa vende e njëjta firmë, por si mund të bëhet kjo kur personi në fjalë nuk ka dal para komisionit mund të kishte një krah të thyer, nuk shikonte, dëgjonte, apo hajt të fusim ca lekë në xhep pa nami u bëftë, partia na ka çuar aty dhe 4 vite të vjelim sa të vjelim.
Ne denoncuam korrupsionin që bëhet në Poliklinikën Qendrore të Vlorës, pasi kjo certifikatë mjekësore kushton 20 mijë lekë të vjetra sipas 2 mandat-pagesave nga 1 mijë lekë të reja po 35 mijë lekë të tjera ku shkuan? Në xhepin e mjekut. Shëndetësia falas po triumfon me megafon nga pushtetarët, po kësaj Shëndetësie në Vlorë si t’ia vëmë emrin?

Rrugës për në Vlorë Kaktus u ndal edhe në Fier për të bërë analizën e grupit të gjakut se duhet për patentën, kjo analizë u bë në klinikën “Jeta” me emrin e aktorit të madh shkodran Tano Banushi, i cili ka grupin e gjakut B+, por askush nga stafi i kësaj klinike nuk u shqetësua se kush ishte Tano Banushi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb