Klodiana Lala

Ligji “Antimafia”-i ndryshuar në vitin 2014 për të përfshirë edhe veprën penale të korrupsionit ka dështuar të prodhojë rezultate në sekuestrimin e pasurive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në dy vitet e fundit, hetimet pasurore ndaj njerëzve të drejtësisë kanë qenë formale dhe nuk kanë arritur të zbulojnë qoftë edhe një pronë të vetme, që rrjedh nga vepra penale e korrupsionit.
Një letër-këmbim i Gjy-katës së Krimeve të Rënda me Këshillin e Lartë të Drejtësisë tregon se ndonëse ka disa raste të dënimit të zyrtarëve për korrupsion, nuk ekziston asnjë kërkesë për sekuestrimin apo konfiskimin e pasurive të tyre.
“…Nuk ka asnjë rast që Prokuroria e Krimeve të Rënda të ketë sjellë për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë së personave të dyshuar apo të dënuar. Për rrjedhojë ne nuk kemi asnjë rast të shqyrtuar apo në shqyrtim,” shkruhet në letrën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilën BIRN e disponon.
Nga viti 2014 e deri më sot, zyra e “Task Forcës” për Krimet e Rënda ka hetuar dhe dërguar për gjykim një duzinë gjyqtarësh dhe prokurorësh të akuzuar për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv. Paralelisht me hetimet penale kundër tyre, Prokuroria nis edhe hetimin pasuror për secilin rast, në përputhje me ligjin “Antimafia”.
Megjithatë, BIRN mësoi se hetimet pasurore kufizohen përgjithësisht në veprime administrative, shkëmbime letrash me zyrat hipotekore apo bankat e nivelit të dytë-pa mundur të vënë në shënjestër pasuri të fshehura apo të jashtëligjshme të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.
Prokurorët e intervistuar nga BIRN pranojnë se hetimet pasurore bëhen formalisht, por ata fajësojnë legjislacionin në fuqi si konfuz dhe pengues për një hetim të thelluar të pasurive.
Një prokuror i tha BIRN në kushtet e anonimatit se ata i kanë duart e lidhura për të hetuar realisht pasuritë e fshehura të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët i janë nënshtruar hetimit për veprat që lidhen me korrupsionin.
“Ne nuk hetojmë dot për të zbuluar pasuritë e fshehta të gjykatësve apo prokurorëve, mund vetëm të dërgojmë shkresa institucioneve bankare apo në hipoteka për të verifikuar vetëm pasuritë e ligjshme,” tha prokurori.
“Një ndër shkaqet e dështimit të ligjit është edhe informaliteti,” shtoi ai. Ligji “Antimafia” është i bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, duke i penguar ata të kryejnë hetime për zbulimin e pasurive të paligjshme të funksionarëve publikë-të tilla si vëzhgimet, kontrollet në terren apo përgjimet.
Prokuroria-një aktor i rëndësishëm për zbatimin e ligjit “Antimafia” ka propozuar një sërë ndryshimesh ligjore, çka sipas saj do të sillnin rezultate në gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive të rrjedhura nga korrupsioni. Propozimi thelbësor i saj lidhet me vënien në përdorim të Kodit të Procedurës Penale për sigurimin e provave për hetimet pasurore. “Sipas eksperiencës italiane e cila është marrë si model nga ligjvënësi shqiptar, natyra parandaluese dhe qëllimi i konfiskimit nuk lejon të kryhen hetime, të cilat ndikojnë tek të drejtat dhe liritë themelore, të tilla si përgjimet dhe në përgjithësi mjetet speciale të hetimit, kontrollet, kqyrjet etj”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë, që BIRN e disponon.
Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës për Krime të Rënda i tha BIRN se ndryshimet në ligj duhet të bëjnë të mundur që të njëjtat rregulla të procedimit penal të përdoreshin edhe në hetimin pasuror, duke bërë të mundur që provat e mbledhura të përdoreshin në të dyja proceset. Simoni është gjithashtu në favor të përdorimit të mjeteve speciale të hetimit, çka sipas tij do të kufizonte hapësirat e palës nën hetim për të justifikuar pasurinë e tij. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb