Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë informacion zyrtar për operacionin e zhvilluar sot që çoi në pranga 10 persona, mes tyre gjyqtaren Enkeleda Hoxha dhe avokatin Aldo Tabaku si dhe një ekspert të mjekësisë ligjore. Bëhet fjalë për një hetim që ka zbuluar tre veprimtari kriminale.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj., parashikuar nga nenet 245/1, 319/ç, të Kodit Penal.
Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal nga policia gjyqësore e Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi, të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:
Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;
Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.
Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;
Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;
Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve:
Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Trendafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;
Migena Skenderi, masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;
Falë hetimeve të këtij procedimi u bë e mundur të evidentohej një skemë e mirëfilltë kriminale sipas së cilës persona të dënuar që cilët vuanin dënimin në burgun e Fushë – Krujës përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt. Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. Hetimi ka provuar se gjithë kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në Euro, që shkonin nga 6 deri 12 000 euro.
Në këtë skemë të kundraligjshme ishte përfshirë dhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kundrejt marrjes së përfitimit të parregullt që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Enkelda Hoxha.
Ndërkohë gjatë hetimeve është provuar se i hetuari Shkëlqim Korbi ka konsumuar elementët e veprës penale “ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal. Ky i hetuar është caktuar si ekspert në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila po shqyrtonte kërkesën e shtetasit O. K. me objekt revokim të masës mjekësore “mjekim i detyruar spitalor….”. Rezulton se fillimisht ky ekspert ka përgatitur aktin e ekspertimit psikiatriko – ligjor të këtij shtetasi dhe më tej e ka depozituar në sekretarinë e mjekësisë – ligjore. Ky akt ekspertimi ishte në disfavor të kërkuesit. Pas ndërhyrjeve të të interesuarve, eksperti ndërhyn tek sekretaria e mjekësisë ligjore duke rimarrë aktin e dorëzuar dhe përgatitur një akt të ri që përmbush kërkesat e O. K.
Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu edhe se e hetuara Manuela Mallkuçi i ka dhënë drejtpërdrejt përfitim të parregullt shtetasit Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj. Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe shtetaset Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, të cilat kanë konsumuar elementët e veprave penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/2 i Kodit Penal.
Policia e Shtetit ka ekzekutuar në datën 11.02.2021 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.14 datë 10.02.2021. Gjithashtu në zbatim të vendimit nr.54 datë 10.02.2021 Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në mbi 16 banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë, me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale.
Hetimet e këtij procedimi penal do të vazhdojnë me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe dërgimin për gjykim të gjithë të hetuarve në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.