Pandemia dënoi me vdekje fëmijët me sëmundje tumorale! Ky fakt tronditës zbulohet nga korrenspondenca midis drejtorive brenda Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, të evidentuara në një raport të detajuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Shefi i shërbimit ka përcaktuar se nevoja për këtë bar është ulur për shkak të uljes së shtrimeve dhe pacientëve që  kanë humbur jetën edhe nga Covid, duke çuar në uljen e këtyre shpenzimeve”, shkruhet në raportin e KLSH-së për periudhën 1 janar 2019 deri në 30 mars 2021, duke lënë të kuptohet se ajo që gjendet tepër është si pasojë e humbjes së jetës së disa fëmijëve…

“Vetting”, përmes një investigimi të procedurave për këtë  çështje nga organet që merren me sigurimin e ilaçeve ka zbuluar se, gjatë pandemisë “Covid 19”, sistemi shëndetësor dështoi të ofronte barna spitalore për fëmijët që përballeshin me sëmundjen e shekullit, kancerin.

Konkretisht nga viti 2019 deri në janar 2022, Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT nuk kanë realizuar asnjë furnizim me ilaçin e kimioterapisë “L-Asparaginase” nëpërmjet tenderave, duke lënë fatin e fëmijëve në dorë të kontrabandës së ilaçeve ose duke i “dorëzuar” në duart e vdekjes.

“Vetting” ka komunikuar me disa nga prindërit dhe familjarët e pacientëve të vegjël, të cilët kanë rrëfyer se si janë përpjekur të gjejnë forma alternative për të siguruar mjekimin, duke u ndjerë të braktisur nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo e fundit, e informuar për mungesat nga institucionet publike dhe organizatat jofitimprurëse, për gati 3 vite ka injoruar thirrjet për ndihmë nga prindërit e fëmijëve që trajtohen me kimioterapi.

Vetëm nga një vëzhgim i thjeshtë rezulton se mungojnë barnat “L-Asparaginase” dhe “Actinomycine D”, që janë jetike për këta fëmijë për t’i mbajtur në jetë.

Por edhe kur janë akorduar qindra miliona lekë nga fondet publike, përsëri në QSUT ka munguar barna e kimioterapisë për fëmijët.

Rasti i Reit

Në nëntor të vitit të kaluar, gjyshja e vogëlushit Reit denoncoi mungesën e ilaçit “L-Asparaginase” pasi nuk merrte trajtimin nga spitali Onko-Pediatrik në QSUT për sëmundjen e leucemisë. Rei, 6-vjeçar nga Saranda, është një nga 16 fëmijët tek Onko-Pediatria që nuk merrte kimioterapinë prej 28 ditësh. Falë ndërhyrjes së “News24”, është bërë i mundur sigurimi i katër flakonëve të Asparaginases, por vetëm për Rein. Edhe pse problemi u bë publik në media, ilaçi u sigurua nga Turqia për pacientin e vogël nga një dhurues privat dhe më pas është bërë pagesa prej 500 eurosh.

“Vetting” kontaktoi QSUT-në për të zbuluar arsyet e mungesës së “L-Asparaginaze”, por Spitali e hoqi përgjegjësinë nga vetja duke e  kaluar tek kompania.

Korrupsioni me “të pafatët”

Gazetarët e emisionit “Vetting”, sjellin përmes një ndjekje të gjithë procedurave, si neglizhencat, shkeljet dhe vonesat me tenderat kanë dënuar shumë prej fëmijëve të vegjël. Si pasojë e këtyre shkeljeve, disa nga familjet e këtyre fëmijëve ose morën rrugët e migrimit për t’i shpëtuar vdekjes, ose kanë hyrë në borxhe. Ndërkohë,  “më të pafatët”, sot nuk janë më mes nesh…

Në tetor 2021, Avokati i Popullit ka rekomanduar gjetjen e hapësirave ligjore për të siguruar sa më shpejt të jetë e mundur, medikamentet për fëmijët me leucemi, duke evituar vuajtjen dhe dhimbjen e panevojshme për pacientët, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët, që janë një kategori prioritare që duhet të gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti.

Në raport, Avokatit i Popullit deklaron se për problemin ka informuar edhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet raportit vjetor, ku ai është raportuar si rekomandim i pranuar por i pazbatuar.

Sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimet në Fushën e sëmundjeve tumorale, Shqipëria renditet e dyta pas Ukrainës për vdekshmërinë më të lartë për fëmijët e prekur nga këto sëmundje në vitin 2020.

Por ndryshe nga Ukraina, e cila është e ekspozuar prej gati 3 dekadash nga rrezatimet radioaktive të aksidentit bërthamor të Çernobilit, Shqipëria ka probleme me investimet anemike nga Ministria e Shëndetësisë dhe mënyrën se si përdoren këto fonde…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb