KOSOVË-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po merr pjesë në samitin e shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, që po i zhvillon punimet në Senegal.
Gjatë punimeve të samitit, Kosova u anëtarësua në cilësinë e vëzhguesit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Në samit morën pjesë një numër i madh i liderëve nga vende të ndryshme të botës, në mesin e të cilëve edhe Presidenti i Francës, François Hollande.
Në një fjalë rasti drejtuar pjesëmarrësve të samitit, Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e sa për secilin shtet anëtar të OIF për mbështetjen që i kanë ofruar Kosovës dhe konsensusin e tyre të vendosur që ta pranojnë Kosovën në mesin e tyre.

“Duke e përfshirë Kosovën në këtë organizatë, ju shtuat edhe një përkrahje të vlerave që avancojnë paqen dhe një zë më tepër që fuqizon dialogun dhe partneritetin si mënyrën e vetme për të gjetur zgjidhje për sfidat e së ardhmes që prekin secilin prej nesh”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja e Kosovës tha se Kosova dhe institucionet e saj, në këtë tryezë, do të sjellin kontributin e tyre si pjesëtarë të barabartë për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi politike, kulturore dhe ekonomike që do të avancojnë marrëdhëniet tona bilaterale dhe do të forcojnë vlerat tona të përbashkëta.

“Mirëpres mundësinë e këtij bashkëpunimi dhe ju falënderoj edhe një herë për kontributin e secilit delegat, secilit shtet dhe secilit përkrahës për ta zgjeruar partneritetin dhe shtrirë dorën e miqësisë drejt Kosovës”, tha në fund Jahjaga.
Jahjaga shoqërohet nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb