Më 4 dhjetor, shefat e qeverive të Kosovës dhe Serbisë do të përfaqësojnë vendet e tyre në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se seanca, e cila ka qenë e parashikuar të mbahej në nëntor do të mbahet në fillim të dhjetorit, pasi Serbia kishte kërkuar shtyrjen e saj.“Është caktuar që më 4 dhjetor të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe është rënë dakord që të dy vendet të përfaqësohen në nivel të kryeministrash. Nëse nuk ka ndryshim të formatit apo datës, kjo tani për tani mbetet zyrtare”, ka thënë për Indeksonline, Bashmir Xhemaj, këshilltari politik i ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Në këtë takim do të prezantohet raporti i rregullt tre mujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon për Kosovën.

Serbia kishte kërkuar shtyrjen e seancës në nëntor për shkak të angazhimit në pritjen e shefit të qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe më pas lirimit të përkohshëm nga Haga të liderit të radikalëve serbë, Vojislav Sheshel.

Serbia, në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së  do të përfaqësohet nga kryeministri Aleksandar Vuçiq, ndërkohë që për Kosovën ende nuk është dhënë një njoftim zyrtar për përfaqësimin.

Deri më tani janë disa opsione, Kosovën mund ta përfaqësojë Hashim Thaçi si kryeministër në detyrë, sërish Thaçi si i nominuar i partisë së tij për kryeministër të ri dhe i pranuar nga LDK, Isa Mustafa si kryeministër i ri i pranuar edhe nga PDK apo ndonjë politikan tjetër i zgjedhur si kryeministër konsensual në rast se PDK-LDK nuk bien në konsensus që posti i kryeministrit t’i jepet njërit prej liderëve të këtyre dy partive qeveritare.

(o.d/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: