Prishtinë – Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në orën 10:00 për të shtatën herë me radhë që prej 15 prillit, kur u mbajt për herë të parë seanca konstituive. Procesi për formimin e institucioneve të reja vijon të mbetet i bllokuar, me mungesë marrëveshjeje mes partive politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, dështoi sërish të premten që të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Ajo mori vetëm 57 vota, duke bërë që procesi të shtyhet edhe një herë.

Pavarësisht kundërshtimeve nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat e shohin Haxhiun si një figurë përçarëse, LVV-ja vazhdon të insistojë në kandidaturën e saj.

Një takim konsultativ i thirrur nga LVV u zhvillua të mërkurën, pas një kërkese të Glauk Konjufcës për “kohë shtesë” dhe për një “marrëveshje politike”. Takimi rezultoi pa sukses, dhe siç bëri të ditur deputeti i LVV-së dhe kryesues i seancës konstituive, Avni Dehari, partia nuk ka ndërmend të ndryshojë kandidaturën.

Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të mbështesin Haxhiun si kryeparlamentare, por kanë shprehur gatishmëri për të shqyrtuar ndonjë kandidat tjetër nga radhët e LVV-së.

Seanca e sotme pritet të jetë përcaktuese për të kuptuar nëse ngërçi do të thellohet më tej apo do të ketë lëvizje drejt një zgjidhjeje institucionale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb