Drita dhe Prishtina kanë arritur fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 12-të të AlbiMall Superligës së Kosovës, duke bërë progres në renditje. Drita shënoi fitoren e saj të gjashtë në kampionat, duke e mposhtur Suharekën dhe atë si mysafire, me përmbysje të rezultatit 2:1. Kësisoj, Drita rrëmbeu pozitën e parë, së paku përkohësisht, me 21 pikë, teksa ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. Ndeshja nisi mirë për vendasit, të cilët shënuan të parët me anë të Mevlan Zekës në minutën e 28-të. Por Drita arriti të barazojë shifrat në minutën e 44-t me golin e Salifu Ibrahim. Pjesa e dytë i takoi mysafirëve, me Albert Dabiqajn që realizoi golin e fitores në minutën e 67-të. Ndërkaq,
Prishtina, pas dy disfatave radhazi, e gjeti fitoren në ndeshjen ndaj Ferizajt të zhvilluar, të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Leotrim Kryeziu në minutën e 61-të, pas një asistimi të Albin Krasniqit. Kjo fitore bën që Prishtina të ngjitet në pozitën e trerë, me 19 pikë, aq sa ka edhe Ballkani, në pozitën e dytë dhe Malisheva, në pozitën e katërt.