Dy ndeshjet e fundit të javës së 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll kanë dhuruar emocione dhe gola të bukur. Dy skuadrat e kreut të tabelës, Drita dhe Ballkani, e mbyllën sezonin vjeshtor me fitore.

Drita siguroi një fitore dramatike ndaj Feronikelit 74, me rezultat 2:1, falë një goli të vonshëm të Arb Manajt në minutën e 92-të.

Skuadra mysafire nga Drenasi kaloi e para në epërsi në minutën e 12-të me një gol të shkëlqyeshëm nga distanca, të realizuar nga Leart Zekolli. Mirëpo, vendasit arritën të barazojnë në minutën e 55-të, kur Rron Broja shënoi nga një pozitë e vështirë për 1:1.

Në minutën e 64-t, Drita humbi një mundësi të artë për të kaluar në epërsi, pasi Besnik Krasniqi dështoi nga pika e bardhë. Megjithatë, Manaj vulosi fitoren për skuadrën gjilanase me një goditje të saktë me kokë nga afërsia, kur ndeshja po shkonte drejt fundit.

Me këtë fitore, Drita e përfundoi sezonin vjeshtor në pozitën e parë me 38 pikë. Ndërkohë, Feronikeli 74 mbetet në pozitën e fundit me 11 pikë.

Kampioni në fuqi, Ballkani, e mbylli vitin me një fitore solide ndaj Suharekës, në cilësi të mysafirit, duke triumfuar 2:0.

Golin e parë për skuadrën kampione në fuqi e shënoi Lindon Emërllahu në minutën e 11-të me një goditje të fuqishme nga distanca. Ndërsa, rezultatin përfundimtar e vulosi Bleart Tolaj në minutën e 70-të me një gol nga afërsia.

Pas kësaj fitoreje, Ballkani renditet në pozitën e dytë me 33 pikë, duke mbajtur hapin me Dritën. Suhareka qëndron në vendin e pestë me 25 pikë.

Albi Mall Superliga e Kosovës tani hyn në pauzën dimërore, ndërsa pritet me interes vazhdimi i garës në pranverë, kur skuadrat do të synojnë arritjen e objektivave të tyre.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb