Skuadra e Dritës ka arritur fitore të madhe në derbin e qytetit ndaj Gjilanit, duke triumfuar me rezultat të thellë 4:0 në ndeshjen hapëse të javës së 26-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Drita e nisi furishëm ndeshjen dhe brenda pjesës së parë siguroi epërsinë e thellë, duke shkuar në pushim me rezultat 4:0. Serinë e golave e hapi Almir Ajzeraj në minutën e 12-të, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë kapiteni Rron Broja dyfishoi epërsinë e bardhekaltërve. Dominimi i Dritës vazhdoi dhe në minutën e 24-t, Arb Manaj realizoi golin e tretë, ndërsa rezultatin përfundimtar të pjesës së parë dhe të krejt ndeshjes e vulosi ukrainasi Denys Kostyshyn, i cili shënoi në minutën e 43-të.

Në pjesën e dytë, Drita e menaxhoi rezultatin dhe pati disa mundësi të tjera për të shënuar, ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes, goli i Albert Dabiqajt u anulua pas rishikimit në VAR.

Kjo fitore e rëndësishme e afron Dritën edhe më shumë drejt titullit të kampionit, pasi tani ka 57 pikë, derisa Ballkani është i dyti me 43 pikë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb