25 vjet në historinë e një shteti nuk janë pak. Por një çerek shekulli të Republikës së një populli për të cilin shteti ka qenë një planet i largët, janë domethënëse. Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të Kosovës, i cili besoi dhe mbështeti, në një betejë të gjatë e të pamposhtur luftëtarët e tij të ideve dhe të paqes, simboli i të cilëve u bë Ibrahim Rugova.

Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të Kosovës, i cili besoi, mbështeti, luftoi bashkarisht dhe shndërroi në kauzë të vet luftën çlirimtare të luftëtarëve të luftës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbol i të cilëve u bë Adem Jashari dhe mijra dëshmorë që u flijuan në luftën për çlirimin e Kosovës.

Rezistenca dhe lufta çlirimtare e Kosovës ndau një shekull, ndau një mijëvjeçar dhe zgjidhi një dilemë të botës së qytetëruar, një çështje të madhe për moralin evropian dhe botëror: Do të vijojmë të tolerojmë shtypjen e egër dhe brutale ndaj një populli mu në mes të kontinentit europian? Apo do ta ndihmojmë këtë popull të realizojë aspiratat e tij për t’u bërë i lirë dhe sovran në tokën e vet, në shtetin që i mungon?

Kosova, Shqipëria dhe kombi shqiptar kemi qenë shpesh të rrezikuar. Ekzistencën, territorin, gjuhën dhe identitetin na e kanë vendosur shpesh në pikëpyetje e rrezik. Por ne kemi mbijetuar gjithmonë, në të gjitha udhëkryqet e historisë. Nga Prizreni e Vlora, Tirana e Prishtina, Korça e Presheva shqiptarët nuk i ikën kurrë nderit dhe detyrave që u dha emri shqiptar.

U bëmë qytetarë të denjë të qytetërimit që i përkasim nga rrënjët, identiteti dhe aspiratat, pa dallim feje, krahine e ideje, dhe iu falëm flamurit kombëtar. Në agimin e shekullit dhe mijëvjeçarit të ri, Kosova u clirua. Ky çlirim erdhi nga bijtë e saj. Ky çlirim ndodhi pasi ndërgjegja, vullneti dhe aksioni i botës së lirë iu bashkua qëndresës për vite e dekada paqësore e më vonë edhe luftarake të një poplli të etur për liri, shtet, vlera demokratike, paqe e progres shoqëror.

Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i vullnetit, mbështetjes dhe veprimeve të aleatëve të mëdhenj dhe partnerëve strategjikë të shqiptarëve, ShBA, NATO dhe BE. Gjatë këtyre 25 vjetëve, Kosova, më e reja Republikë e Europës, po ndërtohet si një shtet modern dhe euro-atlantik, në vizion, vlera, institucione, qëndrime e partneritete. Lufta për çlirimin e Kosovës u fitua me ndihmën e aleatëve e partnërëve, miqve të çmuar të kombit shqiptar.

Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj.

Me mbështetjen e tyre, e ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt. Pa ndihmën e tyre asgjë nuk është e garantuar.

Shqipëria e Kosova janë sot dy shtete të pavaruara, me miq e aleatë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe botën e qytetëruar, dhe që aspirojmë anëtarësimin në familjen europiane.

Shqipëria mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizimin, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës. Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë. Çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës po vijojnë partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin intensiv, mbështesin bashkëpunimin mes qeverive dhe institucioneve, në të mirë të shqiptarëve dhe paqes në rajon.

Gëzuar, Kosovë, 25-vjetorin e çlirimit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb