PRISHTINË– Në Kosovë po festohet sot 28 Nëntori, 102 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Në kuadër të kësaj feste të të gjithë shqiptarëve ditën e sotme do të organizohen një sërë aktivitetesh, si marshime në rrugë dhe sheshe të njerëzve në festë, me këngë e valle.
Në Prishtinë, në Muzeun Shtetëror të Kosovës tashmë janë bërë edhe përgatitjet përfundimtare për hapjen e ekspozitës, ku në mbi 100 artefakte do të prezantohet qëndresa heroike e Familjes Jashari për liri dhe pavarësi.
“Qëndresa heroike e Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore”, është ekspozita e autorit Sadik Krasniqi, i cili është shprehur se, “tre breza të familjes janë sakrifikuar në epopenë e marsit 1998”.
Ky eveniment bëhet me rastin e Festave Kombëtare të Nëntorit, që koinçidon me datëlindjen e Komandantit Legjendar.

Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së në skenë”.

Në ekspozitën që do jetë jetë e hapur deri në fund të vitit do të prezantohen dëshmi, që janë një pasuri e rëndësishme e kombit shqiptar, eksponate tredimensionale, fotografi, dokumente, harta, shtypi i kohës dhe xhirime filmike.
Në Prekaz shumë njerëz nga të gjitha hapësirat shqiptare do shkojnë e nderojnë edhe ditën e festës së gjithë kombit shqiptar.
Pjesë e atmosferës festive janë më shumë se 100 kompani shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia që marrin pjesë në panairin “Blej Shqip”, organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë.
Edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë edhe si Ditë e Flamurit, 28 Nëntori festohet tradicionalisht në Kosovë, festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante.
Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera nën ish-Jugosllavi në kërkim të të drejtave kombëtare në prag të 28 nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb