PRISHTINE- Sot shënohet 10-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Për nder të kësaj dite do të ketë aktivitete të ndryshe në të gjitha komunat e Kosovës.

Dje në ndër të kësaj dite të veçantë historike për popullin shqiptar u organizuan një sërë aktivitetesh, gjë që parashikohen edhe përgjatë ditës së sotme. Ndërkohë, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës dhe marshimi i trupave të FSK-së, do të jetë të dielën, më 18 shkurt.

Ndër mysafirët e ardhur në Prishtinë, është dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Dje presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dekoroi me medalje presidenciale, kryeministrin Rama për kontributin që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Dhjetë vjet më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Republikës, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira e shqiptarëve për të fituar pavarësinë.

Të dielën e 17 shkurtit të 2008-ës në orën 15: 39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.
Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas Pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 116 shtete.

Kujtojmë se në këto 10 vjet, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshi edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.

Sakaq, flamuri i Kosovës është ngritur lartë nën tingujt e himnit shtetëror para syve të botës me kampionen olimpike e botërore, Majlinda Kelmendi, ndërsa emri i saj përmendet nga mediat ndërkombëtare përmes yjeve të saj me famë botërore, ku veçohen këngëtaret Rita Ora e Dua Lipa.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: