FRANCË- Kosova nuk ka mundur të bëhet pjesë e UNESCO-s për vetë, tre vota. Propozimi i Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka marrë 92 vota pro. Për pranimin e Kosovës në UNESCO duheshin votat e më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të kësaj organizate, të pranishme në punimet e sotme. Votës pro i munguan gjithsej 3 vota. Pro votuan 92 vende nga 95 që duheshin, kundër ishin 59, ndërsa abstenuan 29 vende.

Kosova në përgjithësi, ka zhvilluar një fushatë, siç është quajtur, pozitive për t’u bërë anëtarja më e re e organizatës, ndërkohë që autoritetet e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, po ashtu kanë zhvilluar një fushatë të intensifikuar, duke kundërshtuar pranimin e Kosovës në UNESCO. Kundër Kosovës në UNESCO ishin edhe Argjentina dhe Brazili, vende të cilat 2 ditë më parë janë vizituar nga Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Kosova njihet nga 111 shtete anëtare të OKB-së, dhe vetëm 92 prej tyre sot votuan pro Kosovës në UNESCO. Një pjesë e atyre vendeve që e njohin Kosovën ose kanë votuar kundër, ose kanë abstenuar.

JA KUSH VOTOI PRO DHE KUSH KUNDËR KOSOVËS NË UNESCO

Nga 142 anëtarë që votuan, 92 ishin pro, 50 ishin kundër, dhe abstenime 29. Duheshin edhe vetëm tre vota që Kosova të pranohej në UNESCO, por nuk ia doli.

Por cilat ishin vendet që votuan pro dhe kundër anëtarësimit të shtetit më të ri në Ballkan, në këtë organizatë?

KUNDËR
Ndër vendet që nuk e mbështesin pranimin e Kosovës ishin:
Brazili,
Kina,
Spanja,
Rusia,
India,
Kazakistani,
Bjellorusia,
Palestina,
Koreja e Veriut,
Sllovakia,
Uruguai,
Venezuela,
Bahreini,
Indonezia.

ABSTENIM
Vendet që abstenuan ndër të tjera, janë:
Bosnja dhe Hercegovina,
Kolumbia,
Greqia,
Nigeria,
Peruja,
Polonia,
Rumania,
Singapori,
Trinidad dhe Tobago,
Tunizia,
Zambia.

Këtu bie në sy votimi i Greqisë, shtet i cili ka pasur replika me Beogradin në lidhje me mbështetjen që i jep Kosovës.

PRO
Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO në mesin e vendeve të tjera janë:
Belgjika,
Kanadaja,
Franca,
Bullgaria,
Belize
Irlanda,
Islanda,
Italia,
Lituania,
Malajzia,
Pakistani,
Panamaja,
Norvegjia,
Zelanda e Re,
Portugalia,
Republika Çeke,
Mbretëria e Bashkuar,
Sllovenia,
Suedia,
Zvicra,
Çad,
Tajlanda,
Turqia,
Afganistani,
Shqipëria,
Gjermania,
Andorra
Lufta për çdo votë në Asamblenë e UNESCO­-s ka vazhduar gjatë gjithë periudhës së fundit në Paris nga aleatët e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe.

PËRPLASEN SHTETET KUNDËRSHTARE DHE PËRKRAHËSE TË KOSOVËS NË UNESCO
Gjatë debatit pro dhe kundër shtyrjes së votimit për anëtarësimin e Kosovës janë përplasur me argumente përfaqësues të shteteve mbështetëse përfshirë edhe SHBA’të e cila ka humbur të drejtën e votës.

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe ka theksuar se asnjëherë nuk ka ndodhur që Konferenca e Përgjithshme të refuzojë propozimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO, që do të ishte precedent. Vendeve kundërshtuese Rusisë, Argjentinës, Kubës i janë përgjigjur SHBA’të, Britania e Madhe dhe Gjermania.

SEANCA
Por ashtu siç parashikohej në një nga skenarët, delegacioni serb ka paraqitur kërkesën për ta shtyrë pikën e sotme të rendit të ditës, kërkesë e cila, bllokon anëtarësimin e Kosovës në UNESCO deri në punimet e ardhshme të Konferencës së Përgjithshme, më 2017. Por kërkesa e palës serbe është rrëzuar nga Këshilli i UNESCO-s, gjë që është konfirmuar edhe nga zv.kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Konferenca e Përgjithshmw, votoi me 89 vota kundër kërkesës së Serbisë për shtyrje të votimit të Kosovës, ndërsa 59 vende votuan pro saj dhe 22 të tjerë abstenuan.

Kërkesën e Serbisë e kanë refuzuar Gjermania, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, kurse në përkrahje të saj ka dalë Rusia, Argjentina dhe Kuba.

Me 21 tetor, Bordi ekzekutiv i UNESCO-s, me shumicë votash vendosi që të rekomandojë propozimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, gjë që ka hapur rrugën që kjo çështje të votohej sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila mban punimet nga 3 deri më 18 nëntor. Ndërkohë sot Kosova nuk ka arritur të sigurojë anëtarësimin për vetëm 3 vota.

THAÇI: E FITUAM NJË BETEJË PROCEDURALE
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se është rrëzuar propozimi rus dhe serb për shtyrjen e votimit për anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“U fitua një betejë procedurale për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s. U rrëzua propozimi rus dhe serb për shtyrje”, shprehet Thaçi në Facebook.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: