Pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, Albi Mall Superliga është rikthyer të shtunën me dy ndeshje të javës së 14-të, ku Malisheva arriti një fitore të rëndësishme ndaj Dukagjinit, ndërsa Gjilani si mysafir dominoi përballë Feronikelit 74.

Në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva realizoi fitore 2:1 ndaj skuadrës nga Klina. Drilon Hazrollaj e kaloi Malishevën në epërsi në minutën e 19-të. Theophilus Solomon barazoi rezultatin në minutën e 44-t, duke e mbyllur pjesën e parë në barazim. Megjithatë, tri pikë të reja për malishevasit i siguroi Laurent Xhylani me golin e minutës së 56-të. Malisheva ka 25 pikë dhe është në vendin e tretë, derisa Dukagjini ka 17 pikë dhe është në pozitën e shtatë në tabelë.

Në ndeshjen tjetër, Gjilani shfaqi dominim të plotë ndaj Feronikelit 74 në Drenas, duke shënuar fitore bindëse 3:0. Goli i parë erdhi herët nga Senad Jaroviq, i cili realizoi në minutën e 11-të. Epërsia u dyfishua nga Oltion Bilalli në minutën e 21-të, ndërsa Edi Basha vulosi rezultatin përfundimtar në minutën e 62-të. Pas kësaj fitoreje Gjilani tani ka 17 pikë dhe është në vendin e gjashtë, kurse Feronikeli 74 mbetet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm tri pikë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb