PRISHTINË- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti sot në takim një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE), i kryesuar nga nënkryetarja e PE-së, Ulrike Lunacek.

Nga ana e qeverisë kosovare u konfirmua se janë përmbushur kriteret teknike dhe është theksuar se tani është koha që BE-ja të lëviz para me nënshkrimin e MSA-së dhe rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa falënderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën, përfshirë proceset integruese evropiane.

Ai njoftoi eurodeputetët për prioritetet e Programit qeveritar që po implementohen nga qeveria e Kosovës, të cilat do të mundësojnë zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, uljen e varfërisë, si dhe për reformat fiskale, përkrahjen e energjetikës, bujqësisë e të tjera.

Kryeministri Mustafa po ashtu veçoi angazhimin e fuqishëm për avancimin e proceseve integruese evropiane, duke theksuar hapat e Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila do të mundësonte vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Në këtë kontekst, kryeministri i Kosovës theksoi se tashmë nuk ka asnjë arsye që këto dy procese të mos finalizohen sa më parë.

Kryeministri Mustafa i njoftoi eurodeputetët edhe për proceset tjera aktuale në Kosovë, duke përfshirë fuqizimin e shtetit ligjor, ngritjen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, si dhe theksoi përkushtimin për anëtarësim në UNESCO dhe hapat e tjerë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek përgëzoi kryeministrin Mustafa për hapat e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe në proceset që lidhen me dialogun në Bruksel.

Lunacek dhe eurodeputetët e tjerë të PE-së folën për proceset aktuale në Kosovë, duke u interesuar edhe për zhvillimet në vend.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: