Nga: OLA MITRE*
TIRANE –
Sëmundja e Tularemisë nuk përbën ndonjë rrezik të veçantë për vendin tonë, por është mirë që të bëhet kujdes me udhëtimet drejt Kosovës, ku aktualisht është shpallur gjendja e epidemisë”. Këshilla vjen nga mjeku infeksionist, njëkohësisht pedagog në Universitetin e Mjekësisë, Pëllumb Pipero, i cili shprehet gjithashtu se është mirë të evitohet kontakti me persona të infektuar apo ushqime të kontaminuara.
“Tularemia është shumë e përhapur në Kosovë, ndërkohë që zonat verilindore të Shqipërisë janë gjithmonë të rrezikuara e më të ekspozuara dhe ne kemi patur ndonjë rast të rrallë. Megjithatë besoj se Instituti jonë i Shëndetit Publik duhet t’i ketë marrë masat sepse Tularemia është jashtëzakonisht e përhapur në Kosovë. Burimi kryesor i kësaj sëmundjeje janë minjtë dhe më pas prek dhe njerëzit”, shprehet Pipero. I pyetur nëse ka rrezik që infeksioni të transmetohet nga njeriu te njeriu, mjeku bën me dije se ky rrezik pothuajse nuk ekziston. Sipas tij, rreziku më i madh vjen nga miu dhe nga materiale apo ushqime që bien në kontakt me miun e infektuar dhe më pas transmetohet te njeriu. “Te ne nuk ka ndonjë rrezik të veçantë dhe asnjëherë nuk ka qenë problem, por normalisht që qytetarët shqiptarë duhet të kenë kujdes kur udhëtojnë drejt Kosovës, pasi padiskutim që mund të infektohen”, thotë Pipero. Po ashtu, ai thekson edhe disa masa parandaluese që mund të merren, për të shmangur infektimin.
“Higjiena personale, mosrënia në kontakt me minjtë e ngordhur, uji i pijshëm, ushqimet, kontaktet me njerëz të sëmurë, nuk janë shumë të rrezikshme, por sidoqoftë duhen shmangur”, përfundon mjeku infeksionist. Ndërkaq, sipas Institutit të Shëndetit Publik, kjo sëmundje nuk përhapet nga njeriu tek njeriu, ndërsa vektorët kryesorë për përhapjen e sëmundjes janë rriqnat, miza e kalit, miza e shtëpisë, mushkonja dhe morri i flokëve. Simptomat janë kryesisht temperatura me ethe e më pas shfaqja e dhimbjeve të kokës, gjymtyrëve dhe nyjeve. Këto simptoma zgjasin 1-3 ditë dhe më vonë shfaqet simptoma më karakteristike i sëmundjes, që janë limfogjëndrrat ose ënjtja e gjëndrave në vendin ku është futur insekti ose mikroorganizmi. Ajo trajtohet me terapi të lirë, kryesisht antibiotik dhe simptomat janë të ngjashme me gripat sezonale. Ndërkaq, Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se një ekip specialistësh (epidemiologë dhe entomologë) të këtij institucioni janë nisur ditën e djeshme për në zonat e Kukësit dhe Hasit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: