KOSOVE

Pas mos pranimit në INTERPOL, Kosova i ka shpallur luftë ekonomike Serbisë dhe Bosnjës. Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës me 100% për mallrat dhe produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, ministri i Tregtisë së Kosovës, Endrit Shala propozoi që Serbisë t’i rritet taksa në 100% nga 10% që ishte më parë.

Nga sot t’i vendoset masa 100% produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. Ka një asimetri të madhe sa i përket ofertave publike, ku kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë ligjërisht në ofertat publike në Serbi. Në anën tjetër ka më shumë se 100 oferta publike që kompanitë serbe kanë fituar në Kosovë. Probleme të tjera ka shumë. Kosova nuk mund ta zhvillojë industrinë e saj të transportit dhe humb qindra vende pune, sepse kamionët e Kosovës nuk lejohen ta përdorin Serbinë si vend transit për në tregun e BE-së”, tha Shala.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës përmes një postimi në Facebook u shpreh se ky vendim i qeverisë hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë.

Nga sot masë 100% ndaj Serbisë! Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Poashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë poashtu menjëherë”-shkrtoi Haradinaj.

Vendimi i Kosovës  ka ardhur pas fushatës që po e bën Serbia ndaj pavarësisë  së Kosovës, dhe pengesës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb