Duket se Kosova është vënë në lëvizje për të forcuar lidhjet diplomatike.

Dy nga liderët kryesorë në vend, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë angazhuar në takime dhe vizita kur shumë pak ka mbetur nga përfundimi i 2024.

Presidentja Osmani, po zhvillon një vizitë në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka mbajtur takime në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Ajo ka zhvilluar takime me senatorin republikan Thom Tillis, me të cilin ka diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë e Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Zagreb të Kroacisë ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare dhe do të mirëpritet në takime bilaterale nga krerët e shtetit të Kroacisë.

“Pjesë e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të jenë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transporteve, Hekuran Murati”, thuhet në njoftim të lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Pritshmëritë janë që gjatë vizitës të nënshkruhen disa marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore, për njohje reciproke të patentave të shoferëve, për bashkëpunim në mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike, dhe bashkëpunim në fushën e mjekësisë ligjore. Më pas Kurti pritet të udhëtojë drejt Sllovenisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: