Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë, që do të mbahet sot, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces. Për herë të parë, raportet e progresit do të miratohen për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet do të miratohen për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

Po ashtu, pritet që Komisioni Evropian të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe të rekomandojë dhënien e statutit të vendit kandidat për Gjeorgjinë. Përpjekjet për të arritur pajtim që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave ka hasur në kundërshtime, gjatë takimit të zhvilluar të martën të shefave të kabineteve. Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet. Por, për këtë çështje pritet të bëhen përpjekjet e fundit nga komisionarët në takimin e së mërkurës.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet. Rekomandimet dhe raportet që do të miratohen më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

Sa u përket raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Radio Evropa e Lirë më 7 nëntor publikoi përmbajtjen e disa drafteve në të cilën ka pasur qasje. Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”. Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

“Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja [drejt normalizimit të raporteve]”, thuhet në tekst, ku shtohet se “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim”.

Marrëveshja drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit, kërkon nga palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa për këtë të fundit aneksi i saj parasheh që Kosova ta formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, draft-statuti i prezantuar më 21 tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca, është thënë se është një model modern evropian. Ky dokument nuk është bërë publik, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar atë dhe se i njëjti është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës së Kosovës.

Në raportin për Kosovën po ashtu përmendet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar dhe bojkotin e tyre në zgjedhjet lokale të prillit të këtij viti. Këto veprime cilësohen si “shkelje të obligimeve të Serbisë që dalin nga dialogu dhe paraqesin kthim prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve të marra nga marrëveshje e parë për parimet për normalizimin e raporteve [e vitit 2013] dhe paraqet shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015”.

“Nga Serbia kërkohet që të inkurajojë serbët e Kosovës që menjëherë të kthehen në institucione, ndërkaq nga Kosova që të bëjë këtë të mundur. Që nga nëntori i vitit 2022, asnjëra palë nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim”, thuhet në raport. Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, për shkak të kundërshtimit të serbëve për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, Kosova ka hartuar një legjislacion që mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të ndryshojnë kryetarët e komunave.

Situata në veri të Kosovës u përkeqësua edhe më shumë më 24 shtator, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Pas miratimit në kolegjin e komisionarëve, paketën e zgjerimit do ta prezantojë para gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa para deputetëve të Parlamentit Evropian, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb