Në Kosovë të premten janë regjistruar edhe 30 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 685 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Shifra bazohet në 9.415 mostra të testuara. Llogaritur në përqindje del që 7.2 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.
Nga sëmundja mjekët vlerësojnë se janë shëruar edhe 1.384 pacientë ndërsa raste aktive janë 19.923.
Autoritetet shëndetësore llogarisin se një person e ka kaluar sëmundjen 14 ditë pas diagnostikimit pozitiv me koronavirus.
Bie numri i pacientëve
64 pacientë me koronavirus, të shtruar në spitalet e Kosovës, janë në gjendje të rëndë, bëri të ditur të premten Shërblimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Shifra paraqet rënie të lehtë krahasuar me një ditë më parë, kur në trajtim inetnsiv ishin 78 pacientë.
Në njoftimin e SHSKUK-së po ashtu bëhet e ditur se në trajtim për koronavirus janë gjithsej 1,043 pacientë – 69 më pak se një ditë më herët.
Numrin më të madh të të hospitalizuarve me koronavirus e ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës, 372.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion.
Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.