Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës dhe i bëri thirrje asaj t’i rikthehet bashkëpunimit me aleatët kryesorë perëndimorë.

Në konferencën e fundit për shtyp, Miller u shpreh se SHBA nuk i mbështet vendimet e pa bashkërenduara me aleatët, teksa akuzoi qeverinë e Kosovës se po vë në rrezik mundësitë që po i krijohen.

“Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pa bashkërenduara të udhëheqjes së Kosovës. Besojmë se ata kanë vënë në rrezik mundësitë, të cilat ne e kemi ndihmuar Kosovës t’i krijojë. Nëse shikoni zhvillimet që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara fuqishëm kanë mbështetur integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e shumetnike.

Por, që të përmbushet ky synim, ne kemi bashkëpunuar vazhdimisht me udhëheqësit politikë të Kosovës në veprimet që kanë forcuar paqen e përparimin në vend dhe çojnë përpara Kosovën në rrugën euroatlantike.

Ajo për të cilën e inkurajojmë qeverinë e Kosovës të bëjë është që t’i rikthehet bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtar të saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: