“Nuk jam terrorist, nuk doja të bëhesha terrorist. U nisa në Siri në dhjetor të vitit 2013, 8 muaj më pas u ktheva në Kosovë dhe u arrestova. Pashë fëmijë të masakruar. Ne në Kosovë e dimë mirë se çfarë është lufta, dimë se çfarë është të luftosh kundër regjimit që nuk e dëshiron, apo ndërkombëtarët të të ndihmojnë të çlirohesh nga ky regjim”. Kështu e nis rrëfimin një i ri 28 vjeç nga Kosova, në një intervistë për kanalin ‘7’ italian dhe emisionin “Piazzapulita” të datës 7 janar 2016.

I riu i cili nuk pranon të identifikohet me emër ka rrëfyer për median italiane se si shkoi në Siri për të luftuar, por atje pa se realiteti ishte ndryshe nga ai që e kishte menduar. Ai u kthye në Kosovë dhe u arrestua nga autoritetet vendase. Sot deklaron se është penduar për rrugën që ndërmori. Shkuarjen në luftën e Sirisë për t’iu bashkuar grupit terrorist të ISIS-it, që pretendon se lufton për fjalën e Zotit dhe kundër regjimit të presidentit Bashar Al Assad, e provoi dhe një i ri nga Kosova. Por atje e kishte parë se gjërat nuk janë askund ashtu siç i kishte imagjinuar në Kosovë, prandaj edhe kishte vendosur që pas disa muajsh të kthehet në atdhe.

Në vitin 2013, sapo ishte kthyer, pas 8 muajsh qëndrimi në Siri, ishte arrestuar nga autoritetet kosovare dhe që atëherë është duke dhënë llogari për rrugën që ka ndërmarrë. Ndërsa shpjegon se në Siri shkoi nga aeroporti i Prishtinës drejt Stambollit, e nga aty është transportuar nga turqit për të kaluar kufirin me turko-sirianë. “Pastaj në fillim në Siri, kemi shkuar në Alepo, por në dy muajt e parë situata ishte deri diku e qetë, por më pas po ndodhte diçka, pashë se grupet po luftonin njëra me tjetrën”, thotë ai. 28-vjecari pranon se u rekrutua përmes internetit.

“Aty në Siri kishte pjesëtarë të ISIS-it, por jo aq shumë si mendojmë ne nga këtu”, ka rrëfyer ai për televizionin italian, duke treguar se atje ka qëndruar gati dhjetë muaj. Situatën e përshkruan si shumë të rëndë, pasi thotë se ka parë përveç të tjerëve, edhe fëmijë të vrarë e masakruar, deklaron se nuk dëshiron t’i kujtojë më ato që ka përjetuar. Aktualisht ky person po mbahet në arrest shtëpiak, pasi konsiderohet si i penduar për veprimin që ka ndërmarrë. Ai pret të gjykohet sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i cili u ndalon shtetasve kosovarë pjesëmarrjen në një luftë apo konflikt të huaj, duke i ngarkuar me vepër penale. Gazetarja italiane i shpjegon se nuk e kupton dot faktin të shkosh në luftë kur kjo luftë nuk është e jotja, ndërsa për kosovarin duket normale. “Secili vendos për veten. Unë atje pashë fëmijë të vegjël të vrarë nga ushtarët e Asad. Fëmijë pa sy, pa krahë, pa këmbë”, thotë ai. Kur i mbyll sytë çfarë sheh? “Nuk shoh më asgjë, kam fshirë çdo gjë nga mendja”.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: