PRISHTINË- Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë do të zhvillojë ditën e martë një grevë që do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit, në shenjë proteste për moszbatimin e 4 pikave të Kontratës Kolektive.

Sipas KosovaPress, kështu u vendos të shtunën në takimin e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, ku u mor vendimi unanim për të filluar grevën duke braktisur orët e para të mësimit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se një vendim i tillë u mor për shkak se nuk dihet ende nëse do të zbatohet Kontrata Kolektive në sektorin e arsimit.

Kjo gjë sipas tij, do të merret vesh në pagën e parë të janarit dhe deri atëherë do të vijojnë me veprime sindikale.

Ai ka paralajmëruar se nëse pas janarit, kjo kontratë nuk përmbushet atëherë do të ketë greva të përgjithshme.

Kontrata Kolektive është nënshkruar në mars të vitit të kaluar dhe ende nuk është zbatuar.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: