KOSOVE- Djali i kryetarit të LDK-së, i cili pritet të jetë kryeministër i Kosovës, Besnik Mustafa, pritet të dalë para togave të zeza javën e ardhshme si i akuzuar, në cilësinë e menaxherit të një banke.

Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në prokurori Ali Rexha, i cili ka thënë se në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Ferizaj do të lexohet aktakuza.

Si menaxher në një bankë në Kosovë, ai bashkë me disa persona të tjerë akuzohen për rastin e mbetjes së pasagjerëve në Aeroportin e Prishtinës dhe dyshimet për garancinë bankare të dedikuar për sigurinë e pasagjerëve.

Bashkë me Mustafën akuzohen edhe Sibush Haziri, garantuesi dhe pronar i agjencisë turistike; Ismajl Berisha, drejtor i divizionit të aviacionit civil pran MTPT-së; Nexhat Bala, zyrtar i lartë pran MTPT-së; Hamzi Rrahimi, drejtor i agjencisë; Selajdin Ujkani, menaxher i kreditimit pranë bankës dhe Shefqet Qerkini, shef i shërbimit pranë së njëjtës bankë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb