Agim Çeku, zëvendësministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.
Çeku ka thënë për Insajderin se gjatë ditës së sotme në mënyrë të rregullt ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek ministri, teksa ka shtuar se duhet të ketë ndonjë vonesë që gjerë tani nuk ka arritur tek kryeministri i vendit dorëheqja e tij.

“Unë e kam dorëzuar në mënyrë të rregullt dorëheqjen time te ministri – unë nuk jam më në zyre jam në shtëpi”, ka thënë Çeku për Insajderin.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të mërkurën (19 qershor) ka larguar nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Me këtë vendim të kryetarit të PDK-së janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.

Besim Beqaj i ka ofruar kryeministrit, Haradinaj dorëheqjen e tij nga posti i ministrit teksa ka deklaruar se e mbështet vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për t’i liruar nga pozita zyrtarët dhe anëtarët e kësaj partie, të cilët kanë aktakuza të ngritura.

“Unë sot kam paraqitur dorëheqjen time tek kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj”, ka thënë Beqaj.

E kryeministri, Ramush Haradinaj përmes një konference për media ka konfirmuar se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj teksa ka thënë se është duke pritur një shkresë zyrtare nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli edhe për shkarkimin e zëvendësministrit, Agim Çeku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: