KOSOVE- Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) edhe këtë vit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë për herë të tretë shpallet institucioni më i besueshëm i vendit për çështje të profesionalizmit dhe gatishmërisë në detyrat dhe misionin e saj.

“Mes të arriturave të tjera, për shkak të të cilave ka fituar besimin e qytetarëve, janë edhe disa trajnime të shkollimeve dhe ushtrimeve të ndryshme, për të cilat kanë ndihmuar edhe 114 ekspertë, përfshirë oficerë dhe nënoficerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe shtete tjera të NATO-s. Përmes këtyre aktiviteteve FSK-ja synim kryesor ka përafrimin në anëtarësim në Forcat Paqeruajtëse në NATO”. Kështu ka deklaruar, në një intervistë për “KosovaPress”, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral-Lejtnant Kadri Kastrati.
Arritja e qëllimit për pjesëmarrje në Forcat Paqeruajtëse të NATO-s brenda vitit të ardhshëm është një dëshirë e madhe, por edhe reale e FSK-së, thotë Kastrati, duke shtuar se tanimë janë bërë disa kërkesa në këtë drejtim.

“Kjo nuk është dëshirë e jona e parealizueshme, por është dëshirë reale që ne si Forcë e Sigurisë së Kosovës jemi të gatshëm dhe kemi bërë shumë kërkesa në drejtime të ndryshme që Forca e Sigurisë së Kosovës të mundet të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse, operacionet humanitare e të tjera operacione të udhëhequra nga NATO, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian. Mirëpo, duke pasur parasysh që katër shtete të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën akoma i kemi disa vështirësi, por unë besoj që shumë shpejt do të tejkalohen.

Mirëpo, ne shumë shpejt presim që edhe Parlamenti i Kosovës do të bëjë ndryshimet e kërkuara edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do ta shndërrojë misionin e vet në mision ushtarak dhe pastaj do të hapen disa rrugë për të ecur përpara drejt këtyre obligimeve që ne me padurim i presim edhe jemi të gatshëm që t’i përballojmë të gjitha këto detyra që në të ardhmen na presin”, është shprehur ai.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës, është e gatshme për secilin rast emergjent dhe është e gatshme që në mënyrë profesionale t’u dalë në ndihmë, si institucioneve qendrore ashtu edhe autoriteteve civile.

Duke folur për rastet emergjente, ai përmend edhe dy raste të kërkim-shpëtimit kur kjo forcë ka ndihmuar, si rasti i Obiliqit dhe ai i Liqenit të Ujmanit. Veç kësaj, FSK-ja gjatë vitit që po e lëmë pas ka përfunduar edhe operacione të çminimit dhe kjo për Kastratin është gjë shumë humane dhe patriotike.

I pyetur, se sa janë gjasat që në vitin që po hyjmë kjo forcë të blejë armatime të rënda, Kastrati u shpreh se janë duke bërë gjithë përgatitjet, por jo vetëm për çështje të armatimit, por edhe për legjislacion, trajnime dhe infrastrukturë.

“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për dy vite edhe me ekspertë kemi bërë përgatitjet e nevojshme që Forca e Sigurisë së Kosovës të evoluojë në forcë të armatosur. Kemi bërë një plan afatgjatë zhvillimor dhjetëvjeçar, ku nuk është vetëm çështja e armatimit, po edhe çështja e përgatitjes nga legjislacioni, doktrinat , trajnimet , infrastruktura , pajisjet dhe gjitha nevojat tjera që Forca e Armatosur nesër duhet t’i ketë bazuar në nevojat që dalin për këtë forcë e cila do t’i ketë katër detyra kryesore.

Mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, do t’i ketë operacionet paqeruajtëse me dhënë kontribut në NATO dhe dy detyrat tjera do të jenë mbështetja e autoritetit dhe sfidat e autoriteteve qendrore, çka nënkupton që do të jemi të gatshëm që jo vetëm në aspektin ushtarak, mirëpo do të jemi të gatshëm edhe për t’i dalë në ndihmë institucioneve brenda vendit në raste të ndryshme të katastrofave apo kudo që ka nevoje dhe për çfarëdo që ka nevojë”, tha Kastrati.

Kastrati foli edhe për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur, duke thënë se gjitha rekomandimet janë dërguar në Qeveri, dhe se presin që në tre muajt e parë të vitit që po hyjmë, do të kalojnë edhe pengesat tjera që i kanë si p.sh., ndërrimi i Kushtetutës.
“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për dy vite, i kemi të gjitha planet të miratuara, kemi rekomandime që kanë dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, janë përcjellë në Qeveri dhe unë pres që legjislatura e re ne afatin prioritar, besoj që tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, do të kalojnë edhe këto pengesa që janë para nesh – ndërrimi i Kushtetues për arsye që duhet të ndërrohet misioni i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura edhe emri dhe unë pres që posa të kryhen këto pengesa ne jemi të gatshëm që menjëherë të fillojmë me implementimin e rekomandimeve dhe implementimin e planeve tona afatgjata zhvillimore”, tha ai për KosovaPress.

Bashkëpunimi që FSK-ja, ka me vendet e huaja, sipas Kastratit është i shkëlqyeshëm dhe kjo dëshmohet edhe nga pjesëmarrja në shumë konferenca të ushtrive të Evropës. Ndërkaq, si partneritet më të fuqishëm Kastrati ka veçuar atë me Gardën Nacionale të shtetit Iowa të SHBA-ve.
“Unë do ta kisha përmendur një shtet që ne e kemi partner tonin dhe përkrahjen të shkëlqyeshme, të fuqishme për avancimin e FSK-së, që është partneriteti me Gardën Nacionale të Iowas. Kjo, bazuar në të gjitha vlerësimet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe nga ne këtu, është partneriteti më i fuqishëm që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me cilindo shtet në botë , kështu që neve kjo na ka ndihmuar shumë që Forca e Sigurisë së Kosovës të ecë drejt zhvillimit të saj”, tha Kastrati.

Ai shtoi se janë duke u ngritur edhe kapacitete rajonale, të cilat kanë të bëjnë me raste të kërkim-shpëtimit në male, në ujëra dhe në vende urbane, dhe se këto kapacitete i kanë pranuar edhe vendet e rajonit. Ndërkaq, këto njësi presin që të certifikohen brenda dy viteve me certifikatë të Kombeve të Bashkuara.
Gjenerali Kastrati thekson se Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë multietnike, forcë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që do të jetë gjithmonë e gatshme që të veprojë në të mirë të të gjithë qytetarëve, si në vend ashtu edhe në rajon.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: