KOSOVË-Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.

Ndërkohë Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, pas dështimit që i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, ka deklaruar se mosvotimi është i dëmshëm për Kosovën. Ai ka shtuar se nuk di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Ndërsa Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se vendimi kundër që pamundëson votimin e kësaj Gjykate shërben për oponentët e pavarësisë së Kosovës me apo pa vetëdije. Ai tha se këtë projektligj do ta procedojnë edhe njëherë për ta votuar.

“Nga mosdija dhe patriotizmi i rrejshëm, ata deputetë që votuan kundër bënë gabim trashanik në dëm të interesit shtetëror”, shkruan Thaçi në rrjetin social “Facebook”.

Më herët, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pati ballafaqime gjatë debatit pro e kundër propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës dhe Gjykatës Speciale. Në deklarime, dy forcat më të mëdha politike të koalicionit qeverisës që kanë 68 deputetë u shprehën pro, e tre të opozitës me gjithësej 31 deputetë kundër, ndërsa grupet parlamentare të komuniteteve pakicë nuk u deklaruan. Pa grup parlamentar janë 5 deputetë, 4 shqiptarë e 1 serb.

Në debatin që u zhvillua pasdite në Kuvendin e Kosovës, deputetja e partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, PDK, Ganimete Musliu u deklarua kundër Gjykatës Speciale. “Unë do t’i them jo kësaj gjykate sot”, tha ajo pasi përkujtoi masakrat e forcave serbe në Kosovë.

Edhe deputeti tjetër i PDK, Nait Hasani duke përkujtuar mes të tjerash masakrën e forcave serbe në burgun e Dubravës u shpreh kundër Speciales dhe propozoi që votimi të jetë i fshehtë.

Para saj, deputeti i VV-së, Ilir Deda duke u deklaruar kundër tha se “sot është ditë e rëndë për Kuvendin e Kosovën”, ndërsa theksoi alternativën që vetë Kosova të formojë në vend, e jo jashtë, Gjykatën Speciale për krime lufte.

Para deputetit të fundit në listën e gjatë të diskutuesve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke marrë pjesë në debatin pa kufizim në kohë tha se ai do të votojë pro sepse, “Gjykatën Speciale nuk mund ta ndalim me çfarëdo votimi sot”.

Albin Kurti i VV-së, ishte deputeti i fundit në debatin e sotëm në Kuvendin e Kosovës i cili ritheksoi qëndrimin kundër Speciales, të grupit të tij parlamentar më të madh opozitar 16 anëtarësh. “Kush mendon për Kosovën nuk ia bën asaj Gjykatën”, u shpreh ai.

Në fund zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi foli si lider i partisë më të madhe, fituese e gjashtë palë zgjedhjeve në Kosovë, si e theksoi ai. “Çdo herë që kemi ndërmarrë veprime jo të lehta ka dalë një sukses më madhor për Kosovën”, theksoi Thaçi, duke u shprehur pro votimit të propozim-amendamentit kushtetues.

Ai theksoi suksesin e Kosovës me 111 njohje të pavarësisë nga shtetet anëtare të OKB-së. Ish-kryetari i VV-së, Kurti e deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha, polemizuan me Thaçin, ndërsa lideri i AAK-së kërkoi që mos të vazhdohet me diskutime dhe të kalohet në votim. “Mendoj që mosvotimi i Gjykatës Speciale sot, që besoj se është vullneti i deputetëve ashtu, është një vendim i këtij parlamenti, ne i marrim përgjegjësitë, jemi deputetë dhe na presin detyra tjera që nga e nesërmja”, tha Haradinaj.

Në vazhdim u diskutua për mënyrën e votimit, pas propozimit të deputetit të PDK-së Nait Hasani që votimi të jetë i fshehtë, gjatë të cilit kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se nuk do marrin fare pjesë në votim, meqë sipas tij do të ishte shkelje e Kushtetutës pjesëmarrja në votim për ndryshimin kushtetues për Specialen. Me shumicë votash u vendos që votimi të jetë i hapur.
(a.n/Kosovapress/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: