Partia Demokratike e Kosovës kanë një “plan rezervë” për të tejkaluar krizën politike e institucionale në vend. Këtë plan ajo ka ndërmend ta nxjerrë në tavolinë pak para zgjedhjeve lokale të tetorit të këtij viti. Deri atëherë ka mundësi që të mos nxjerrë emrin e kryekuvendarit dhe kështu të prolongojë procesin e ndërtimit të institucioneve të vendit që dolën pas zgjedhjeve të 11 Qershorit.

Kështu ka bërë të ditur për Botapress, një prej zyrtarëve të lartë të AKR-së i cili është ithtar i afrimit të AKR-së me PDK-në përkatësisht PAN-in.

“Ata po bojnë plan me ia ofru kryeministrinë përsëri LDK-së. Kjo për shkak se koalicioni me AAK-në e Nismën e ka dëmtuar më së shumti PDK-në ndërkaq deklarimi i zyrtarëve të AAK-së se Ramushi i ka votat për kryeministër ende pa u zgjedhur kryeparlamentari, i ka bërë nervoz disa zyrtarë të PDK-së të cilët Haradinajn nuk e shohin si partner të mundshëm për qeverisje stabile” ka thënë ky zyrtar i lartë i AKR-së.

Ai ka shtuar se kjo ofertë e PDK-së ka edhe një “benefit” për LDK-në. Ata i premtojnë LDK-së se nëse kandidati i saj shkon në balotazh me Shpend Ahmetin, do ta përkrahin kandidatin e LDK-së për ta larguar Vetëvendosjen nga qeverisja e Prishtinës. Në ndërkohë nëse jo përkrahje publike atëherë se paku koalicion pas balotazhit nuk mund të bëjë as AAK me Vetëvendosjen për shkak se rrezikon qeverisjen në nivel qendror me PDK-në dhe LDK-në, ka shtuar ky burim yni për Botapress.

Ai ka thënë se këtë variant të bashkëqeverisjes po e përkrahin edhe ndërkombëtarët por po presin që “të lodhen” të gjitha partitë politike që pastaj ata të vihen në veprim.

Haxhi Avdyli: (LDK): Njëherë për një herë, as pro as kundër!
Në ndërkohë Botapress ka kontaktuar me deputetin e LDK-së, Haxhi Avdylin i njohur si kundërshtar i madh për koalicionin me PDK-në. I pyetur se a do të votonte koalicionin PDK-LDK me kryeministër të LDK-së, Avdyli ka dhënë këtë përgjigje: “Njëherë për njëherë kjo është situatë hipotetike dhe nuk kam qëndrim as pro as kundër. Në momentin që del si opcion do e mendojmë dhe diskutojmë. Qëndrimi edhe eloktoratit por edhe strukturave të partisë është që s’ka koalicion me PDK. Dhe këtë qëndrim do ta rrespektojmë deri në fund” ka thënë deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: