Deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të Aleancës kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve.

Edhe ditën e sotme Grupi Parlamentar i PDK-së është vendosur para ndërtesës së Qeverisë dhe i janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë nga Komuna e Ferizajt dhe Hani i Elezit.

Pjesëmarrësit kërkuan funksionalizimin e institucioneve qendrore dhe sqarimin e situatës juridike që, sipas tyre, po ndikon edhe në raportet ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, duke iu referuar një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, tha se Kurti duhet të zgjedhë mes mandatit të deputetit dhe funksionit në Qeveri.

“Aktgjykim të Gjykatës Supreme thuhet qartë. Kryeministër dhe deputet nuk mund të jesh. Duhet të zgjedhësh. Deputet dhe ministër nuk mund të jesh. Duhet të zgjedhësh. Prandaj i bëj ftesë deputetit Albin Kurti, gjegjësisht vandalit politik që t’i ndalë këto vandalizma. Të kthehet në parlament, nëse i ka 61 vota ta zgjedhë qeverinë, për t’ia votuar kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit do t’ia votojmë ne, ja bëjmë votat edhe ne edhe aleanca, dhe të fillon së funksionuari ky shteti”, tha ai.

Kryetari i Aleancës në Ferizaj, Alberton Sahiti, tha se komunat po përballen me probleme si pasojë e mosfunksionimit dhe mungesës së përkrahjes nga niveli qendror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: