KOSOVE

Grupe qytetarësh ju bashkuan të hënën një parakalimi të organizatave të shoqërisë civile në mbështetje të viktimave të përdhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë.Parakalimi me thirrjet për trajtim të dinjitetshëm të viktimave, pasoi debatet që nxiti deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, më publikimin e një fotografie ku fillimisht ajo pretendonte se ishin pamje të një përdhunimi nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Zonja Brovina, e cila u mor në pyetje nga prokuroria e posaçme e Kosovës, tha se fotografia ishte me gjasë e falsifikuar, por reagimet nuk pushuan. Drejtoresha e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, Feride Rushiti, tha se tërë kjo ka rikthyer traumat e luftës tek të mbijetuarat e përdhunimeve.

“Ne po vuajmë në heshtje e ju po na godisni me dhimbjen tonë. Duam drejtësi, por nuk duam që vuajtjet tona t’i shohin fëmijët tanë”,tha zonja Rushitaj.

Reagimet rreth fotografisë bënë që të dështojnë planet që parlamenti i Kosovës të themelojë një komision që do të drejtonte themelimin e një gjykate ndërkombëtare për siç është thënë, gjenocidin serb në Kosovë. Lidhja Demokratike dhe lëvizja Vetëvendosje braktisën punimet e parlamentit me kërkesën për llogaridhënie nga ana e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli, lidhur me foton e publikuar nga deputetja Flora Brovina.

“Me fjalimet e tij në dy ditët e fundit u mundua të relativizojë dëmin që deputetja dhe partia e tij i kanë bërë kauzës së mijëra veprimtarëve që kanë punuar për dy dekada për të dëshmuar krimet e regjimit serb para botës demokratike”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Me ia pas dhënë një laps Serbisë dhe t’i thuhet se si mundesh ta dëmtosh më së keqi një diskutim për krimet e luftës dhe gjenocidin, ajo e kishte vizatuar bash qysh ka ndodhur më 16 maj. Pas 16 majit, në këtë shtet dikush duhet të japë llogari dhe unë po e kursej Flora Brovinën, ashtu siç tha kryetari i parlamentit, sepse po them që ai që duhet të japë dorëheqje është vet kryetari i parlamentit”, tha shefi i grupit parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Opozita kritikoi kryetarin e parlamentin, edhe për siç thanë, tallje me viktimat e luftës, pasi që sipas tyre, gjykata ndërkombëtare krijohet vetëm nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli e cilësoi sërish si gabim të madh publikimin e fotos së falsifikuar, ndërsa i bëri thirrje opozitës që të përkrahë nismën por edhe ngritjen e një gjykate ndërkombëtare.

“Jo vetëm që është e mundur ngritja e kësaj gjykate për gjenocidin serb në Kosovë por është edhe e pashmangshme. Nëse shteti i Kosovës është serioz në veprimet e duhura dhe i vendosur me masat institucionale dhe ligjore”, tha zoti Veseli.

Edhe ambasadat perëndimore në Kosovë kanë kritikuar publikimin e fotos duke u bërë thirrje institucioneve që të mbijetuarit e mizorive, të trajtohen me respekt, dhe të mos shfrytëzohen për përfitime politike./Zeri i Amerikes

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb