PRISHTINË- Qeveria e Republikës së Kosovës, në një mbledhje sot paradite do të shqyrtojë dhe riprocedojë në Kuvend propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Ndërsa, po sot, në mesditë pritet të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare me axhendë “çështje vijuese”, për të ftuar seancën e re plenare për Specialen, ndërkohë që gjatë paraditës vijon seanca e nisur dje. Sipas burimeve të shtypit në Prishtinë, të raportuara sot, “të martën e javës tjetër do të votohet për themelimin e Gjykatës Speciale”.

Qeveria vlerëson se, “riprocedimi në Kuvend, si dhe miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese nga ana e Kuvendit, është një hap me rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës në procesin e përmbushjes së obligimeve që shteti i Kosovës ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë me rastin e aprovimit në Kuvend, me dy të tretat e votave të deputetëve, të letërkëmbimit të Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, vitin e kaluar”.

“Përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cenojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës”, thekson komunikata dërguar nga qeveria kosovare.

“Përmbushja e këtij detyrimi nga institucionet e Kosovës, do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë për dyshimet individuale që mund të lidhen me këtë proces dhe do të jetë një hap i rëndësisë së posaçme për proceset integruese euroatlantike, si dhe në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, përfundon njoftimi nga Kryeministria kosovare, paralajmërues për mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ishte paralajmëruar se, Gjykata Speciale do rikthehet në axhendë e riprocedohet në Kuvendin e Kosovës pasi të sigurohen votat e mjaftueshme. Në seancën e 26 qershorit mungonin 5 nga numri i nevojshëm 80 i votave të Kuvendit 120 anëtarësh, kur opozita nuk mori pjesë e nga pozita 7 ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin.

Për miratim ndryshimesh kushtetuese dhe disa ligjeve të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës duhen edhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 prej të cilëve janë serbë.

Në mledhjen e qeverisë së Kosovës në 19 qershor, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka bërë të ditur se Projektligji drejt krijimit të Gjykatës Speciale “është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

“Ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve”, ka thënë ministri Kuçi.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se, “përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime”.

Ai ka vlerësuar se një kontribut i madh i grupit kosovar të ekspertëve ka qenë heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajtë në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.

“Ne kemi aprovuar në qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me votat e mbi dy të tretave të deputetëve ”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Një ditë pas mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave në Kuvend, qeveria në 27 qershor, në një mbledhje konsultative paralajmëroi riprocedim dhe për këtë edhe bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën. Por, tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma në një deklaratë të përbashkët që pasoi shprehën dhe vazhdojnë të mbajë qëndrimin se, “vendimi i Kuvendit të Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”. Në vazhdimësi të këtij qëndrimi, tre partitë opozitare, me gjithësej 31 deputetë, edhe në deklarata të veçanta u rishprehën në të njëjtën ditë, pardje, kundër riprocedimit në Kuvend të Gjykatës Speciale.

Por, nga liderët e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, PDK e LDK, është kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushimet e verës para riprocedimit nga qeveria dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb