TIRANE- Nga 1 maji Kosova dhe Shqipëria do të kenë dogana të përbashkëta, ndërsa brenda gjashtë muajve të këtij viti do të ketë edhe heqje të disa tarifave ekonomike, të cilat do të mundësojnë lehtësira për shkëmbime tregtare mes dy shteteve shqiptare.

Sipas KosovaPress, kjo është bërë e ditur nga zëvendësministrja e Financave, njëkohësisht drejtoreshë e Doganave të Shqipërisë, Irena Beqiraj, pas një takimi në Prishtinë me drejtorin e Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Kjo do të mundësojë që bizneset të mos harxhojnë më kohë nëpër terminale, por ndërkohë është një lehtësi shumë e madhe edhe për të gjitha bizneset që merren me tregtimin e produkteve ushqimore, qoftë prodhime shqiptare apo prodhime kosovare.

“Shpresojmë që më 1 maj të kemi mundësi që të ofrojmë për herë të parë një doganë të përbashkët, të bëjmë një grup pune shumë shpejt që Kosova dhe Shqipëria të kenë një kufi të përbashkët doganor. Dhe ndoshta brenda gjashtë mujorit të parë të kemi mundësi që të heqim disa nga ato tarifa ekonomike, të cilat pengojnë, ose le të themi vendosin një barrë më shumë për bizneset shqiptare dhe kosovare, siç janë kostot e terminaleve apo kostot e transportit”, tha Beqiraj.

Në të njëjtën kohë, sipas saj, shumë shpejt janë duke punuar në ngritjen e një grupi pune për procedurat doganore, pasi edhe dogana e Kosovës shumë shpejt do të jetë anëtare e Organizatës Botërore të Doganave.

Kjo, sipas saj, është një detyrim i përbashkët për të qenë pjesë e kësaj organizate, që të gjitha procedurat e dy vendeve të jenë një. Kjo do të bëhet jo vetëm për të ndihmuar tregtinë, por edhe për të përafruar sa më shumë legjislacionet dhe procedurat doganore.

“Kam përshtypjen që kjo do të jetë një histori afatgjatë. Nuk besoj që do të hiqet më, sepse zakonisht lehtësirat vijnë për zhvillimin ekonomik dhe besoj që çdo qeveri, që do të pasojë qeveritë aktuale, do të duhet që të ofrojë lehtësira për biznesin. Ne po mendojmë për mundësimin e unifikimit të tarifave doganore, akcizave dhe të shumë proceseve të tjera, në mënyrë që biznesi kosovar dhe ai shqiptar të ndihet në shtëpi në të dyja vendet”, tha Beqiraj.

Drejtori i doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se janë duke diskutuar edhe për masat që do të ndërmarrin doganat e Kosovës dhe Shqipërisë për zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta.

“Ne vendosëm që të krijojmë grupet e punës për t’i konkretizuar veprimet. Në dogana për më shumë se një muaj, tani është duke funksionuar transiti i përbashkët. Ne jemi duke parë mundësinë se ku mund të shkojmë me thjeshtësimin e procedurave në mënyrë që të lehtësojmë sa më shumë qarkullimin e mallrave dhe të jetësojmë vizionin tonë që kufijtë të mos jenë një pengesë në të bërit biznes”, tha Rafuna.

Ai tha se thjeshtësimi i procedurave doganore ndikon drejtpërsëdrejti tek bizneset. “Thjeshtësimi i procedurave ndikon shumë tek biznesi. Ulja e kohës reflektohet ose kalkulohet në kosto dhe ajo që biznesi përfiton më së shumti është te produktet ushqimore, për arsye se ato afatin e përdorimit e kanë shumë të shkurtër dhe ne si doganë jemi angazhuar që dy administrat doganore ta ulin në minimumin e mundshëm kohën e pritjes të këtyre produkteve në dogana”, tha Rafuna.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: