TIRANE – Deputeti socialist Vladimir Kosta ka deklaruar sot në media se kultivimi i kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore “do të sillte të mira materiale për një numër të madh të familjeve shqiptare por edhe për shtetin shqiptar në formën e tatimeve dhe taksave. Fakti që shtete shumë më të zhvilluara se vendi ynë e kanë liberalizuar kultivimin e kanabisit si bimë mjekësore tregon edhe përfitimet që janë patjetër të konsiderueshme në këtë proces.”

Por, idenë e tij e ka kundërshtuar, ish-Ministri demokrat i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i cili është shprehur hapur se “mirëqënie ai mund të sillte vetëm për ata që e zotërojnë një trafik të tillë.”

“Çudirat e të majtës sonë nuk kanë kufi! – shkruan Shehu në një mesazh në Fb. – Një tjetër deputet socialist sot kërkon të ashtuquajturin liberalizim të “kanabisit mjekësor”! Kjo sipas tij do të sillte “parajsën dhe mirëqënien” në Shqipëri! Në fakt, një “parajsë subjektive” mund ta sillte, kur konsumon kanabis, çdo gjë mund ta perceptosh rozë ose mavi! Po më tej vjen veçse ” ferri” i drogës. Mirëqenie mund të sillte për ata që e zotërojnë një trafik të tillë. Për shoqërinë do të sillte veçse kriminalitet e degradim,” – thekson ai.

Dhe, duke e shtjellur më tej këtë ide, që duket se e ka habitur, Shehu e ka ftuar Kostën në debat: “Flet per “kanabis mjekësor”. Dua ta pyes çfarë nënkupton me këtë termë, që nuk ekziston? Flet për eksperienca të vendeve të tjera. Kush, sa jane në Europë e botë ata dhe si…? Italia, dhe atë sasi të vogël kanabis, që i nevojitet për nevoja eksperimentale laboratorike, me ligj ia ka deleguar ushtrisë së saj për ta prodhuar. Kjo është e vërteta, perceptimi i së cilës edhe mund të deformohet nën interesa a faktorë të ndryshëm”- ka nënvizur Shehu.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb