Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat tha sot se kostoja e jetesës së qytetarëve shqiptar është dyfishuar përgjatë dy viteve të fundit, por qeveria nuk ka bërë asgjë për të zbutur efektet e krizës së çmimeve.

Xhixho nënvizoi gjatë fjalës së saj se Partia e Lirisë ka kërkuar disa herë gjatë këtyre viteve reduktimin e TVSH-së së ushqimeve të shportës në 5%, por kjo kërkesë është rrëzuar me arrogancën e kartonëve të një maxhorance që do të mbushë arkën me paratë e shqiptarëve të varfër.

Deklarata:

Të nderuar qytetarë,

Viti që po mbyllet nuk ka qenë aspak i lehtë për çdo qytetar. Kostoja e jetesës është dyfishuar përgjatë dy viteve të fundit, por qeveria nuk ka bërë asgjë për të zbutur efektet e krizës së çmimeve.

Në 2013 kjo qeveri erdhi me premtimin se do të bënte 0 TVSH e produkteve të shportës. Mashtrim! Edhe në mes të krizës, TVSH është 20% dhe nuk u mor asnjë masë për të ulur TVSH të paktën sa rajoni. Serbia, një ekonomi shumë më e madhe se e jona, e ka vetëm 10%, ndërsa Maqedonia e Veriut 5% dhe Kosova 8%

Ne kemi kërkuar disa herë gjatë këtyre viteve reduktimin e TVSH-së së ushqimeve të shportës në 5%, por kjo kërkesë është rrëzuar me arrogancën e kartonave të një maxhorance që do të mbushë arkën me paratë e shqiptarëve të varfër.

Shqiptarët po zhyten në varfëri për shkak të një qeverie që i con miliona euro në projekte korruptive dukemos dhënë mbrapsht asnjë shërbim për qytetarët.

1 milion qytetarë janë në varfëri sipas vetë INSTAT, dhe kjo është drama më e madhe që qytetarët të mos kenë mundësi të ushqehen, të vishen e jo më të arsimohen e kenë mundësi për një jetë normale.

Në këtë situatë, çmimet e ushqimeve bazë janë të papërballueshme për kategori si pensionistët, studentet, çiftet e reja apo familjet në nevojë.

Ne blejmë më shtrenjtë se qytetarët e BE, ndërkohëqë pagat i kemi më të ulëtat në rajon. Një shqiptar i blen 20%- 30% më shtrenjtë të njëjtat ushqime që blen një europian me dyfishin e pagës.

Tirana është kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave, ku sipas britanikes The Times, 2.85 miliard euro para krimi dhe droge pastrohen përmes sektorit të ndërtimit në Shqipëri, kryesisht në Tiranë. Qeratë e shtëpive në Tiranë janë rritur minimalisht me 20%, ndërkohë që 50 mijë apartamente janë bosh.

Si të mos mjaftonte kjo, në treg qarkullojnë produkte të rrezikshme që kanë cenuar rëndë sigurinë ushqimore. Rasti më i fundit është ai i mandarinave të kthyera mbrapsht nga disa vende të BE për shkaktë përmbajtjes së lartë të pesticideve, të dëmshme për jetën.

Siguria ushqimore e produkteve që konsumojnë është sot shqetësimi më i madh që kanë qytetarët, pasi nuk ka asnjë siguri për produktet që konsumojmë.

Nëse shëndetin e shqiptarëve e kërcënon prodhimi vendas, as ai i importit nuk mbetet pas. Ushqimi i foshnjave është një tjetër rast alarmant. Kremi i orizitbiologjik qarkullon lirshëm në tregjet tona, pavarësisht se Italia ka konstatuar në të përmbajtje arseniku. Pra, sëmundjet për fëmijët tanë po i blejmë me para për shkak të institucioneve të zhytura në korrupsion që bëjnë çdo gjë tjetër përveçse detyrën që u ka ngarkuar ligji.

Kjo qeveri e ka zhytur qytetarin e thjeshtë në varfëri. Barrën e rëndë të korrupsionit galopant që i ështëkthyer në vrimën e zezë ku përfundojnë paratë e shqiptarëve, qeveria ua ka ngarkuar më tëpamundurve: familjeve me të ardhura të ulta dhe pensionistëve. Indeksimi 4.1% i pensioneve të tyre ishte tallja e radhës, që nuk e maskon dot asnjë bonus elektoral.

Pamundësia e mijëra familjeve për të mbyllur muajin i detyron të marrin rrugën e emigrimit. 40% e shqiptarëve e kanë marrë këtë rrugë për të mos u kthyer më pas. Mijëra të tjerë e mendojnë çdo ditë si të vetmen mënyrë për t’i shpëtuar varfërisë.

Qeverisja e Edi Ramës do të mbahet mend si qeverisja që zbrazi Shqipërinë nga shqiptarët. Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë do të rimëkëmbin Shqipërinë, duke luftuar varfërinë dhe shpopullimin.

Ne do të mbështesim familjet e reja me kredi me interesa të subvencionuara nga shteti sipas modelit hungarez dhe do të rimbursojmë shportën e bebes.

Nga ana tjetër, do të rrisim nivelin e pagave mbi mesataren e rajonit, do të dyfishojmë pagat e mjekëve dhe mësuesve, do dyfishojmë pensionet dhe do të rimbursojmë realisht ilaçet.

Gjithashtu investimi në arsim dhe kërkimin shkencor do të jetë 5% e PBB dhe inovacioni do të financohet mbi mesataren e rajonit. Do mbështesim bujqësinë me 30 miliardë lekë çdo vit, do nxisim eksportet e do fuqizojmë fermerët.

Ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin e mundësive për të gjithë e jo vetëm për disa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb