Nga: FATMIRA NIKOLLI
Më 17 gusht të vitit 1948, ajo veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu, por në moshën 13-14 vjeçare, Nënë Tereza pat veshur kostumin popullor shqiptar, siç shihet në imazhet e ruajtura. 100 vite më pas, kostumi ruhet ende, deri vonë i mbajtur sekret.

Për herë të parë doli dje nga fondi i etnografisë kostumi tradicional i Shën Terezës. Ai u ekspozua vetëm për pak orë në Muzeun Historik Kombëtar dje, në përvjetorin e Lumturimit të saj. Etnografja Afërdita Onuzi ka rrëfyer para mediave se si u mbajt sekret kostumi i familjes Bojaxhiu në periudhën e komunizmit në fondin e Institutit të Folklorit e mandej edhe detaje rreth punimit të kostumit 100-vjeçar.

“Midis viteve ’60-’70, nëna e Nënë e Terezës dhe motra e saj, të ndodhura në kushte të vështira ekonomike iu drejtuan një miku të familjes, për t’i ndihmuar duke e shitur kostumin në fondet e arkivit tonë. Kostumi u shit tek ne, por jo me emrin e familjes Bojaxhiu, pasi në atë kohë nuk mund të ndihmohej familja e Nënë Terezës. Këtë sekret e dinte vetëm Rrok Sojzi që e bleu dhe punonjësja e arkivit, Pandora Plaku”, ka treguar etnografja Onuzi. Vetë ajo e ka mësuar shumë vonë ekzistencën e kostumit. “Pandora Plaku më merr në telefon në vitin 1991. Tanimë Shën Tereza e Kalkutës kishte ardhur në Shqipëri. Pandora më thotë që dua të të besoj një sekret, sepse unë jam shumë e sëmurë dhe nuk dua që të mbetet anonim një vlerë e madhe, siç është kostumi i Nënë Terezës”.
Onuzi tregon mandej se Nënë Tereza e ka veshur në moshën 13-14 vjeçare. “Këmishën dhe jelekun i ka veshur siç i shihni në fotografi. Ndërsa dimitë i ka mbajtur e motra në rastin e fotografisë, mbase i ka veshur edhe ajo se kanë qenë të familjes”.
Bëhet fjalë për një kostum me motive karakteristike të qytetit të Prizrenit (vendi i origjinës së nënës së Nënë Terezës).

Kostumi përbëhet nga këmisha, copë e mëndafshtë e endur nga gratë e Prizrenit, jeleku i qëndisur nga mjeshtër qëndistarë të këtij qyteti, shalli dhe dimitet. Pjesë tjetër e ekspozitës ishin 54 objekte të tjera, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore nga dy qendrat më të zhvilluara politike-ekonomike-tregtare dhe kulturore shqiptare të shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, respektivisht Shkodrës (vendlindja e babait të Nënë Terezës) dhe Prizrenit (vendlindja e nënës së Nënë Terezës). Njëkohësisht nëpërmjet objekteve që u ekspozuan, u paraqitën aftësitë teknike-artistike të mjeshtrive tradicionale qytetare të zhvilluara në këto qendra (Shkodra dhe Prizreni). Midis tyre përmendim: stoli grash dhe burrash prej ari dhe argjendi, armë, pjesë veshjesh dhe veshje të plota, pëlhura të mëndafshta për pajisjen e banesës dhe veshjeve të ndryshme, qëndisje të realizuara nga gra qytetare si çarçafë, këllëf jastëkësh, këmisha etj. Objektet qenë kryesisht të përdorura nga popullsia e besimit të krishterë.

KOSTUMI
Kostumi mbi 100-vjeçar sipas etnografes është regjistruar në fondin e artë, nga bashkëshorti i Marie Krajës. “Nëna e Shën Terezës së Kalkutës i ka kërkuar ndihmë burrit të Marie Krajës, sepse nga familja e Nënë Terezës, Instituti nuk i blinte në atë kohë. E pyeta Pandora Palkun se kush e solli, sepse të them të vërtetën, nuk e besova”, thotë Onuzi.
Etnografja që e ruan me fanatizëm vëren se, “është një lloj Xhokonde për më tepër, sepse është kostumi i një shenjtoreje-Shën Tereza tani. Kostumi ruhet i mbyllur, ndaj unë bëj thirrjen që duhet ruajtur në kushte më të mira. Nuk ka probleme, por problemet vijnë gradualisht e pasi të bëhet problem, nuk ka nevojë për kujdes”, thotë Onuzi.
Për punën bamirëse asaj i janë akorduar shumë çmime, duke filluar që nga Çmimi Indian Padmashri në vitin 1962 dhe deri tek Çmimi Nobel për Paqen në vitin 1979. Në vitin 1997, Nënë Tereza kishte rreth 4000 motra, të cilat kryenin misionin në 610 shtëpi bamirësie në 123 vende të botës. Tërë jetën e saj ua kushtoi të varfërve dhe njerëzve në nevojë, derisa ndërroi jetë më 5 shtator 1997.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: