Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka theksuar se rezultati i referendumit në Maqedoni ishte i kënaqshëm pavarësisht nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në votim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një program në televizionin shtetëror të Greqisë (ERT), Kotzias, ka folur për referendumin konsultativ i cili u mbajt në Maqedoni më 30 shtator.

“Pjesëmarrja në referendum, fillimisht mund të konsiderohet e ulët për ata që nuk e njohin politikën në Ballkan dhe të vërtetën e Maqedonisë. Kjo është e logjikshme sepse po të vërehet sesa vota përbëjnë 38 për qind, sa vota janë përdorur në zgjedhjet e mëparshme dhe po të bëhet një analizë e drejtë do të vërehet se nuk është edhe aq e ulët. Zaev në referendum ka marrë votat më të larta që mund të merrte”, është shprehur kryediplomati grek.

Më tej Kotzias ka mbrojtur i idenë e tij se lista zgjedhore në Maqedoni nuk është përditësuar që prej një kohe të gjatë dhe se të paktën 400 mijë shtetas të Maqedonisë jetojnë jashtë vendit. “Numri i vërtetë i votuesve në vend është rreth 1 milionë e 200 mijë. Në këtë situatë Zaev konsiderohet se ka marrë vota mbi 50 për qind. Dhe kjo e përbën shumicën”.

Në lidhje me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili ka kundërshtuar ndryshimin e emrit të vendit, Kotzias ka pretenduar se Ivanov është zgjedhur me më pak vota se votat “po” të dala në refundim. Ai ka theksuar se “Ivanov është zgjedhur president me 520 mijë vota, ndërsa numri i votave në referendum është 530 mijë”.

Shefi i diplomacisë greke, duke theksuar se nuk do të jetë i lehtë miratimi i rezultateve të referendumit në Parlamentin e Maqedonisë, ka pretenduar se Zaev do të fitojë sërish në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Referendumi është një preferencë e Qeverisë së Maqedonisë, është përfshirë në marrëveshjen e Prespës, por jo si parakusht për zbatimin e marrëveshjes”, tha Kotzias, duke vënë theksin se në çdo rast, rezultati i referendumit nuk do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë.

Nëse në Maqedoni gjithçka përfundon ashtu siç është përcaktuar, Kotzias tha se marrëveshja në fjalë do të dërgohet në Parlamentin e Greqisë deri në muajin mars dhe se qeveria e Athinës ka planifikuar ta miratojë në kuvend marrëveshjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb