Nga Kiço BLUSHI
Të jesh kozmopolit do të thotë të quhesh qytetar i botës, t’i mohosh vetes të drejtën të jesh nacionalist, n’ daç edhe patriot. Kozmopolitët kanë qenë specie e rrallë te ne, për arsye të kuptueshme historike. Vetëm vitet e fundit tek-tuk po del ndonjë i tillë, pa ndikim në shoqëri, pasi kozmopolitizmi është si një bimë tropikale që nuk mbin dot në klimën ballkanike. Por edhe kur shfaqet, ai përdoret si mjet për të rënë në sy e për të bindur gjinden se je tjetërsoj, një intelektual i nivelit të lartë. Ndërsa nacionalistët e sotëm nuk ngjajnë me nacionalistët e botës, madje as me ata të Rilindjes e të para luftës së dytë botërore.

Kozmopolitët e vlerësojnë veten si supremacistë për faktin se, si ka thënë para ca ditësh një analist i njohur, gjyshërit janë fajtorë që e patën ngjizur këtu…Kështu që, pa dashje, njeriu i përket një kombësie, etnie, race apo edhe feje të mëvetëshme, superiore (ose inferiore) varësisht prej dorës së fatit, më sak, të vendit ku, – në cilin shtet, pra!- ka mbirë sperma e paraardhësve…Vetëkuptohet që, po të të kishte mbirë fara e gjyshërve në SHBA, do të ishe kryekrejt një tjetër qenie nga ç’je ti që ke mbirë në Shqipëri!

Jetojmë në një kohë e në një vend të mrekullueshëm, ku debati mes nacionalistëve dhe kozmopolitëve ka përfunduar në kësosh nivele të mjerueshme “shkencore”, si ndozot: A ka qenë apo nuk ka qenë serbe nëna e Skënderbeut dhe a do të quhet Skënderbeu tradhtar, mercenar i shitur me flori te mbretërit e Evropës dhe Vatikani, apo një hero kombëtar?

Bash për këtë arsye mora guximin të sajoj dy neologjizma e të quaj nacionalistët e sotëm: osamirmekenë, ndërsa kozmopolitët e pakënaqur: osakeqmekenë.

***

Në shekullin e kaluar, mes dy luftërave botërore, si reagim ndaj furisë së nacionalizmit fashist, nazist dhe komunist, që po kërcënonte botën me urrejtje të ndërsjellë mes racash e kombesh, shumë intelektualë të shquar u shpallën kozmopolitë, duke shpresuar se kësisoj, si qytetarë të botës, ata do të ndikonin të shmangej kasaphana e Luftës së Dytë Botërore. Me autoritetin e tyre shkencëtarët, shkrimtarët dhe artistët më të spikatur të kohës synonin të mpaknin e të prapësonin trysninë histerike të nacionalizmit agresiv që po ngërthente botën tejembanë. Kjo përpjekje, për t’i kundërvënë nacionalizmit radikal e agresiv kozmopolitizmin paqësor, pa kufij e pa dallime, dështoi, sepse politika dhe ideologjia nacional socialiste kishte uzurpuar fuqinë e pushtetit, financat, votat, propagandën tru shpëlarëse dhe ushtronte terror mediatik e fizik me hordhitë e paramilitarëve partiakë. Ndërsa intelektualët e shquar patën vetëm fuqinë e fjalës “të hedhur në erë”.

Por ishte pikërisht fryma e “universalizmit”, e shuarjes së kufijve, e dallimeve, e konflikteve të trashëguara, historike, e dasive dhe e barrierave të përgjakshme mes kombeve e popujve që mundësoi mbjelljen e farës së Evropës së Bashkuar, aspiratë që fatmirësisht mbiu dhe u realizua falë mençurisë e largpamësisë së udhëheqësve të atëhershëm të shteteve të Evropës, kryesisht Gjermanisë dhe Francës, si dhe mësim-pësimeve të nxjerra nga gjenocidi dhe holokausti që synoi të shfaroste përgjithmonë kombe dhe raca.

Edhe pse para Luftës së Bytë Botërore krijimi i Evropës së Bashkuar dukej si utopi, “si andërr në beze”, realizimi i saj i rrafshoi kufijtë shtetërorë e doganorë dhe dasitë racore e kulturore. Për disa dhjetëvjeçarë u fashit nacionalizmi tradicional, agresiv e radikal që pat prodhuar urrejtje dhe luftëra “heroike” mes popujve. Me mençuri kjo zezonë shekullore iu faturua fashizmit dhe komunizmit, për ta asgjësuar jo vetëm me propagandë dhe me ligje, por edhe me një bashkim e njëjtësim institucional të shteteve që kishin qenë armiq të përbetuar në shekuj.

Ndërkohë u ridimensionua edhe kuptimi i kozmopolitizmit, babait gjenetik të Evropës së Bashkuar. Nëse nacionalizmi u detyrua të hiqte dorë nga “përjashtimi i tjetrit” me dhunë dhe me urrejtje të ndërsjellë (që të mos identifikohej me nazizmin, fashizmin a komunizmin), kozmopolitizmi u moderua dhe pranoi si vlerë përbashkuese (jo përjashtuese), dallimet kulturore, identitetet e ndryshme kombëtare, përfshi dhe simbolet, himnet e mitet kombëtare, etnike apo fetare.

Pikërisht këtë frymë po hakatet Brukseli të ngjallë edhe në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor, ku nacionalizmat folklorikë kanë thuajse po atë ndikim e fuqi që kishin para luftës së dytë botërore. Them thuajse, pasi, nëse ndikimi i nacionalizmit agresiv duket sikur po mpaket në politikë bërje (sidomos pas luftërave në ish-Jugosllavi), aktualisht, falë investimeve ekstra ballkanike, financiare e kulturore, që vijnë nga Lindja, nacionalizmi po vishet me kostum tjetër, jo kombëtar e etnik, po me petk fetar, për ta bërë edhe më rreziksjellës. Më radikalët, ata me origjinë arabe, kërkojnë madje të fshijnë edhe nacionalizmin, edhe kombësinë, duke u përpjekur të zëvendësojnë ato me besimin fetar, me Islamin.

A jemi të përjashtuar apo të përfshirë ne shqiptarët në këtë dukuri?

***

Jo vetëm në Ballkan, po edhe në Evropë dhe SHBA, vitet e fundit janë shfaqur supremacistët. Është ringjallur nacionalizmi radikal (jo vetëm islamik), më i egër e më hakëronjës se ai i para Luftës së Dytë Botërore. Lufta tani po bëhet me kamikazë, në errësirë, vetiakisht, pa u shpallur si luftë botërore. Viktimat e saj nuk janë ushtarët, por paqësorët që “shohin punën e tyre” dhe emigrantët e mbetur pa atdhe e pa shpresë.

Ajo që e bën edhe më të rrezikshme nacionalizmin radikal është përpjekja për ta veshur atë me kostum fetar, me ideologji fetare, me dogma “të shenjtëruara”. Racizmi që u duk sikur dha shpirt po ngre kokë në Evropë, aq sa rrezikohet shpërbërja e BE-së, po edhe në SHBA, ku supremacistët kërkojnë të bëhen “politikë zyrtare”. ISIS ka krijuar shtetin e vet, nëpërmjet të cilit përpiqet të tërheqë pas vetes botën në një holokaust planetar, sidomos në shtetet ku perandoria osmane ka kryer me sukses konvertimin fetar. E gjithë kjo zallamahi që po trondit botën, kryhet në emër të dogmave fetare.

Ndërkohë, si këtu edhe në Kosovë e Maqedoni, nacionalistët osamirmekenë dhe kozmopolitët osakeqmekenë zihen për “mustaqet e Çelës”, por nuk kanë hyrë kurrë në një debat “filozofik” të mirëqenë, për të sqaruar ndjekësit, si p.sh.: Kush lipset të jetë parësor, besimi fetar apo përkatësia kombëtare? Aq e egër është kjo trysni, sa një isist me origjinë kosovare, dogji para kamerave edhe pasaportën edhe flamurin e Kosovës.

Jo pse nacionalizmi ynë tradicional nuk ka rrënjë e as histori të lavdërueshme, aq më pak të përgjakshme, pasi kurrë nuk ka bërë luftëra me popujt dhe me nacionalizmat e etnive të tjera, porse ai ka qenë dhe ka mbetur i vobektë, i pafuqishëm të përballet fizikisht, me ushtri, po as me platformat nacionaliste e raciste të akademive të fqinjëve. Kjo, sepse folklori, dhe jo idetë, ka qenë dhe ka mbetur i vetmi ushqim i tij.

Duket sikur, vitet e fundit, osamirmekenët janë shtuar e aktivizuar, por kryesisht nëpër stadiume e portale, kur “Kombëtarja” jonë luan futboll me kombëtaren e ndonjë fqinji. E megjithatë thirrjet e këngëzuara ”O sa mir’ me ken shqiptar!” dhe “Kuqezi, kuqezi!” nuk e kanë mbrothësuar kombin, nuk kanë sjellë përparim, nuk i kanë pakësuar ikjet masive të shqiptarëve nga vendi, nuk i kanë bindur qytetarët të mos ndërrojnë emrin dhe kombësinë, nuk i kanë detyruar qeveritë të zbatojnë politika më atdhetare, më dobisjellëse, më shpresëdhënëse. Edhe teorizimet e osakeqmekenëve për demitizim, për shkuljen e kulteve dhe shembjen e idhujve, aktualë e historikë, nuk na kanë bërë më europianë, nuk e kanë lartësuar kombin, përkundrazi, e kanë amplifikuar bindjen se “ky vend nuk bëhet”.

Në emër të luftës kundër kulteve dhe miteve, që kanë pas bërë kozmopolitët e Luftës së Dytë Botërore, këta tanët pajtohen, ndoshta pa dashje, me xhihadistët, të cilët shembin e shkatërrojnë me vare monumente dhe statuja në Siri dhe Irak. Sipas tyre duhet të ketë vetëm një idhull, Allahu, kurse sipas osakeqmekenëve tanë nuk duhet të ketë as edhe një. Ku qëndron ndryshimi?

Si në BE dhe në SHBA e kudo ku ka qytetërim nuk janë shembur idhujt e së kaluarës, nuk zhvillohet luftë demitizuese kundër Linkolnit, Bonapartit, Garibaldit apo Ataturkut, pavarësisht se si njerëz edhe ata kanë pasur defekte. Elitat intelektuale e dinë se popujt në fund të fundit janë si fëmijët, përherë do të kenë nevojë për shkollë e për mësues, për idealistë dhe për shenjtorë, për besim dhe shpresë, përndryshe kombet do të vetë shkombëtarizohen. Prej kësaj nevoje gjallojnë edhe dogmat fetare. Për këtë arsye ideologjitë dhe partitë shuhen e vdesin, ndryshe nga besimet fetare dhe ndjesitë kombëtare.

Në fund të fundit njerëzimi ka nevojë për Krishtin, Muhametin dhe Budën, ashtu si ne kemi nevojë për figurën e Skënderbeut. Sepse ka qenë emri i tij, më shumë se luftërat dhe dogmat fetare, që na ka ndihmuar të mbijetojmë si komb.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: