KPA e rrëzoi si të pabazuar pretendimin e Komisioneres Publike, Irena Nino se prokurori i Vlorës, Erjon Shqarri duhej pezulluar dhe detyruar të ndiqte trajnimin njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, për problemet e evidentuara në dy çështje të hetuara prej tij.

Shqarri u konfirmua në detyrë nga Komisioni më 9 maj, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, rekomandoi ankimimin e kësaj vendimarrje dhe shqyrtimin e dy çështjeve. Rasti i parë kishte të bënte me denoncimin e një vajze ndaj ish-partnerit për përndjekje – çështje që ishte pushuar nga Shqarri. Ky i fundit pretendoi se viktima dhe i kallëzuari kishin qenë në komunikim me njëri – tjetrin. Madje, sipas tij, viktima kishte bërë më shumë telefonata ndaj të kallëzuarit dhe se për të pasur një rast përndjekje, refuzimi i viktimës duhej të ishte kategorik dhe i hapur. Çështja tjetër për të cilën u kërkua riedukimi i Shqarrit, kishte të bënte me kërkimin e një mase sigurimi personal “detyrim paraqitje” ndaj një personi të hetuar për përkrahje të autorit të krimit, por që kishte qenë i dënuar më parë.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga gjyqtarët Sokol Çomo kryesues, Mimoza Tasi relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 20/2024, datë 30.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 757, datë 09.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Erjon Shqarri.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 757, datë 09.04.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Erjon Shqarri.

– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 03.10.2024.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: