TIRANE

Ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të shprehet nesër mbi Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, tha sot se në dosjen e saj ka dokumenta që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë. Ndër të tjera Alibeaj kërkoi nga KPK të verifikojë nga kamerat e sigurisë për t’i dhënë përgjigje disa pyetjeve të ngritura prej tij.

“Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, KPK duhet të verifikojë nga kamerat e sigurisë a është takuar Donika Prela në nëntor-dhjetor me anëtaren e vetingut Valbona Sanxhaktari dhe a është pjesë e dosjes 339, duke u kapur në përgjim me Astrit Avdylajn.” -u shpreh Alibeaj.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi! Organet e vetingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.” përfundoi Alibeaj.

Deklarata e deputetit Enkelejd Alibeaj

Rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar.

në dosjen e Donika Prelës ka dokumenta që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hdhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat.

Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, Komisioni I Pavarur I Kualifikimit ka për detyrë të verifikojë dy informacione të reja për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur inetresi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor dhjetor.

Së dyti, organet e vetingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: a është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj? Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi!

Organet e vetingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb