TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili tha se opozita nuk ka ndryshuar asgjë nga objektivat e saj, ndërsa vlerësoi edhe njëherë vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.


Në studion e News24, Vasili tha se Presidenti shmangu ngjarje të rënda që do na bënin të dukeshin të vogla ato të 2 prillit 1991, 26-27 majit 1996 apo 21 janari.

“Nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë as nga axhenda, as nga objektivat dhe as nga intensiteti ndjekjes së tyre. Ne kemi pasur axhenda fleksibël në raport me krizën politike dhe situatën. Kemi qenë gjithmonë në reflektim të situatave. Vendimet kanë qenë shumë të rëndësishme, zhvillime shumë të forta që kanë ndikuar qëndrime të tjera. Është formësuar nisma për krijimin e një aleance të madhe qytetare.
Themelore është të rimarrim dhe njëherë se cili ka qenë thelbi i dekretimit. Ky dekret është pro atdheut. Dekreti ndali një votim monist, pra bërjen e votimeve dhe jo zgjedhjet.
Tensioni i situatës dhe krijimi i një klime lufte të qeverisë ndaj qytetarëve se nuk është vetëm ndaj opozitës, kemi një prokurori të kapur dhe nëto kushte e kanë kuptuar të gjithë që 30 qershori do formësonte një konflikt të ashpër.
Presidenti duke i qëndruar shumë strikt kushtetutës mori këtë masë që është përveç se pozitive e atdhetare krijon një klimë tjetër dhe të qetë për qytetarët. Ishte në kohën e duhur, në momentin e duhur dhe mbi të gjitha parandaloi ngjarje që mund të ishin aq të rënda sa mund të bënin të na dukeshin të vogla, 2 prilli 1991, 26-27 maji i 96 dhe 21 janari i 2011. Presidenti bëri një veprim të mençur për ta ndalur dhe për të mundësuar aktivizimin e instrumenteve të tjera duke filluar me dorëheqjen e kryeministrit dhe për të përmirësuar situatën e hedhur dritë që shqiptarët të kuptojnë çka ndodhur me këta që vodhën vota”, deklaroi Vasili.


Ai theksoi dhe njëherë se në 30 qershor nuk ka zgjedhje. “Ne kemi një Kushtetutë, as dy, as tre, as pesë. Presidenti ka marrë vendim që të shtyjë datën e zgjedhjeve dhe është bërë publike që do të nisë konsultimet për datën e zgjedhjeve. Kushdo që ndërmerr aktin për zgjedhje në 30 qershor, është një njeri që shkel ligjin. Të parët që do përgjigjen për këtë janë 4 anëtarët e KQZ. Detyra e tyre është të administrojnë zgjedhjet jo të vendosin datën. Këtu po konsumohet një puç kushtetues. Ne kishim zgjedhjet në Kavajë në 7 maj 2017. Dy ditë para zgjedhjeve Rama u tërhoq. Mbi këtë bazë zgjedhjet u shtynë për në 25 qershor 2017, me dekret të Nishanit të 21 majit.
Konsultimi i presidentit një mundësi për të shkëmbyer mendime dhe natyrshëm do të dalë një datë. Kryesorja është të kemi standarde zgjedhjesh, qeveri që ka distanca nga vjedhja dhe e treta të sigurojë në mënyrë të plotë dhe standardin më të mirë të mundshëm garë zgjedhore”, deklaroi Vasili.


(m.k/BalkanWeb)