Nga: ELDA MENGA*
TIRANE – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili prej më shumë se një viti vijon të funksionojë me 4 nga 7 anëtare, rrezikon të përfshihet nga një ngërç institucional, nëse trupa zgjedhore nuk plotësohet. Tashmë që opozita është rikthyer në Parlament, shumica thotë se nuk ka më asnjë pengesë për plotësimin e vakancave. Puna parapërgatitore për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 kërkon domosdoshmërisht plotësimin e vakancave në këtë institucion, pasi disa vendime kërkojnë shumicë të cilësuar. Konkretisht, jo më vonë se data 21 janar 2015, Komisioni Qendror duhet të marrë të paktën 2 vendime që kërkojnë 5 vota të anëtarëve të këtij institucioni.
Në planin e veprimit të KQZ-së thuhet se: “Akti normativ për miratimin e zonave të administrimit zgjedhor dhe akti për mënyrën e organizimit të punës në vendet e numërimit të votave, rregullat që duhen ndjekur nga Komisionet Zgjedhore të Administrimin Zonal dhe grupet e numërimit të votave nuk duhet të shtyhen përtej datës 21 janar 2015”. Këto akte kërkojnë 5 vota në kushtet kur KQZ aktualisht po funksionon vetëm me 4 anëtarë. Në këto kushte mazhoranca duhet të plotësojë trupën e Komisionit Qendor të zgjedhjeve përpara 21 janarit, ndërsa ajo ka përballë edhe një tjetër sfidë, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe përshtatjen e ligjit zgjedhor me ndarjen e re territoriale. Kur kanë kaluar afro tre vite nga dorëheqja nga pjesëmarrja e tyre në KQZ, të majtët paralajmërojnë se brenda janarit do të votojnë plotësimin e vendeve bosh dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por, pavarësisht thyerjes së bojkotit, të djathtët janë shprehur haptazi kundër këtyre ndërhyrjeve. Por, për përfaqësuesin e qeverisë, mazhoranca është e gatshme që të marrë parasysh të gjitha vërejtjet që do të vijnë nga kampi opozitar. Nga ana tjetër demokratët janë shprehur kundër hartës së re territoriale, e cila sipas tyre i jep të majtëve fitoren në tavolinë. Në bazë të rezolutës së miratuar vitin që lamë pas, shumica duhet për ligjet me 3/5 duhet të kërkojë konsensusin e opozitës, kur është i mundur. Kodi Zgjedhor është i vetmi ligj që ka kërkuar gjithmonë konsensus si nga ndërkombëtarët, ashtu edhe nga opozita, pasi nëse e ndryshon njëra palë e vetme, besimi tek zgjedhjet minohet. Kësisoj, një marrëveshje politike shumicë opozitë, siç ka ndodhur edhe më herët mund të bëje të mundur ndërhyrjet në këtë dokument dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe pa kontestime.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: