TIRANË – Shqipëria hyn sërish në një fushatë të re zgjedhore. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka bërë sot komunikimin e parë publik për nisjen e periudhës zgjedhore duke kërkuar nga institucionet qendrore dhe pushteti lokal, të përcaktojnë nëpunësin që do të shërbejë si ndërlidhës me KQZ-në për administrimin sa më të mirë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 21 Qershor 2015. Nëse ata nuk do ta bëjnë këtë, atëherë KQZ-ja do të konsiderojë si ndërlidhës, vetë kreun e institucionit.

Vetëm dy ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti Nishani, zëdhënësja e KQZ-së ka deklaruar sot se “KQZ me këtë komunikim të parë publik me nisjen e periudhës zgjedhore, kërkon rritjen e frymës së bashkëpunimit, përgjegjshmërisë dhe korektësisë nga të gjithë aktorët dhe faktorët që luajnë rol në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në pikënisje të kësaj periudhe zgjedhore, sjellim në vëmendje të institucioneve qëndrore, ministrive, organeve të qeverisjes vendore, bashkive dhe institucioneve të prefektëve në të gjithë vendin, zbatimin e detyrimit ligjor për caktimin e nëpunësve ndërlidhës përgjegjës për shkëmbimin e informacionit me KQZ-në, për veprimtaritë që kanë lidhje me administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike.

Në rast mos zbatimi të këtij detyrimi ligjor, sipas kërkesave dhe brenda afatit të përcaktuar në nenin 4 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja do të konsiderojë se titullari i institucionit përkatës, ka marrë përsipër këtë funksion, kjo në kuptim të përcaktimeve të dispozitës sipërcituar,”- përfundoi zëdhënësja.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: