Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-i.

Në vendimin e publikuar më 25 dhjetor, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Pra, sipas vendimit, Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.

“Në rastin konkret, Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar, në përpushmëni bazuar në nenet 16 dhe 17 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, siç i ka plotësuar në rastin konkret Lista Serbe, për çka e njëjta është rekomanduar për certifikim nga Zyra për regjistrim, certifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në KQZ-“, u tha në vendimin e PZAP-it, panel ku Lista Serbe dorëzoi ankesë një ditë më parë./REL

*Lajmi është duke u përditësuar

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb