TIRANË

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e PD dhe LSI për regjistrimin e komisionerëve në KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit. Pas debateve në mbledhjen e KQZ, kërkesa e PD dhe LSI u rrëzua me 4 vota pro dhe 1 kundër.


Kreu i KQZ Klement Zguri deklaroi se PD dhe LSI mund të ankimojnë vendimin në gjykatën Tiranës brenda 5 ditëve.


Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Ivi Kaso deklaroi se PD ka të drejtë për komisionerë në KZAZ duke akuzuar KQZ për shkelje në regjistrimin e partisë së Astrit Patozit, Bindja Demokratike.


Ai deklaroi se anëtarët e KQZ janë kërcënuar që të mos lejojnë regjistrimin e komisionerëve të opozitës jo-parlamentare dhe iu bëri thirrje anëtarëve që të regjistrojnë komisionerët, pasi në të kundërt do të përballen me përgjegjësi ligjore. Por anëtari i PS në KQZ Denar Biba e cilësoi këtë deklaratë një shantazh.

Më pas anëtarët janë shprehur për kërkesën e dy partive opozitare që nuk marrin pjesë në zgjedhje por kërkojnë komisionerë. Bledar Skënderi, deklaroi votën kundër duke thënë se PD dhe LSI nuk kanë të drejtë ligjore për të çuar komisionerë.

Po kështu Rezarta Bitri deklaroi votën kundër pasi sipas saj është kusht që partitë të jenë subjekt zgjedhor për të pasur komisionerë. Anëtarja tjetër Edlira Jorgaqo, tha se nuk mund të përfitojë nga e drejta ligjore një parti që nuk ka asnjë përfaqësues të saj dhe që ka refuzuar publikisht të jetë pjesë e zgjedhjet.

Edhe anëtari i KQZ Denar Biba ka shprehur qëndrimin e tij kundër ashtu si në mbledhjen e shkuar të KQZ-së.

Ivi Kaso: Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji, do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debate.

Denar Biba: Na shantazhove. Ishte e rëndë dhe e ulët.
Ivi Kaso: 30 ditë përpara zgjedhjeve kemi të drejtë të plotësojmë vakancat. Duhet të monitorojmë procesin zgjedhor. Ka ankesa e denoncime. KZAZ janë të mbushura me paligjshmëri, me qëllim të qartë të partisë shtet, e cila dhe e vetme në garë shkel afatet e deri tek emërimi i një opozite fasadë. Krijojnë përshtypjen sikur do të ketë zgjedhje. Ky kryeministër nuk garanton dot zgjedhje as kur garon e vetme. Ne po ushtrojmë një të drejtë ligjore.

Eridjan Salianji, përfaqësues ligjor i PS: I do për të bërë detyrën, apo si vëzhgues?
Ivi Kaso: Kandidaturat tona janë serioze. Me eksperiencë të mëparshme zgjedhore.

Salianji: Procesi zgjedhor ka afate. Që të jesh subjekt zgjedhor duhet të jesh regjistruar.
Kaso: Komisionerët përcaktohen përpara se partitë të regjistrohen në zgjedhje.

(BalkanWeb)