TIRANE

Me 4 vota pro dhe një kundër, komisioni qendror i zgjedhjeve ka regjistruar partinë Bindja Demokratike si forcë politike për zgjedhjet e 30 qershorit. Pro regjistrimit të partisë së ish-nënkryetarit të partisë demokratike, Astrit Patozi kanë votuar 4 anëtarët e mazhorancës dhe kundër kreu i komisionit qëndror të zgjedhjeve, Klement Zguri.

Zguri tha se megjithë dëshirën e tij, ligji nuk lejon që Bindja Demokratike të regjistrohet, pasi nuk ka plotësuar të gjithë dokumentacionin. Madje ai tha se në të njëjtat kushte në 2015, një partie nuk iu lejua regjistrimi në zgjedhje. Ai paraqiti dhe ankesat e 4 qytetarëve, të cilët u publikuan dhe nga News24 që pretendojnë se nuk kanë firmosur për krijimin e bindjes demokratike.

Unë si zyrtar i shtetit, dhe si administrator i zgjedhjeve, nuk mundet dhe nuk mund t’ia lejoj vetes që dëshirat e mia, t’ia mbivendos ligjit. Edhe në momentin që flasim, vendimi i gjykatës nuk ka marrë formë të prerë, c’ka nënkupton se partia Bindja Demokratike, akoma nuk ka lindur në kuptimin juridik dhe nuk mund të bëjë, veprime. Kemi një vendim të vitit 2015, më shumë se gjysma e anëtarëve që jemi këtu kemi qenë prezentë, kemi qenë aktorë, kemi votuar 7 me 0 që një subjekt të mos regjistrohet dhe që ishte në të njëjtat kushte që mos regjistrohej për zgjedhjet e vitit 2015. Zgjedhjet janë të qytetarëve, duhet të kenë alternativa të bollshme dhe zgjedhjet të jenë të ndershme dh demokratike, por mbi të gjitha duhet të jenë ligjore. Unë nuk jam i bindur se subjekti në fjalë, plotëson kriteret ligjore për të garuar në zgjedhjet” – u shpreh Zguri.

Në mbledhjen e së shtunës KQZ i dha mandatin Klajdi Qamës nga lista shumëemërore e LSI në Berat si dhe regjistroi si kandidat të pavarur në Bashkinë e Tiranës, Fran Mollën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb